Një burrë hapi zjarr në qendër të Brukselit, duke vrarë dy persona dhe më pas është larguar nga vendngjarja.
Policia po ndjek gjurmët burrit që dyshohet se është një terrorist islamik pasi dëshmitarët kanë treguar se ai ka thirrur “Allahu Ekber” para se të hapte zjarr.
Dëshmitarët e cituar nga “Le Soir” raportojnë se kanë parë një individ të armatosur të veshur me një xhaketë portokalli duke ikur me një skuter.
Ai dyshohet se ka qëlluar fillimisht në hollin e një pallati dhe më pas drejt dy personave që ndodheshin në një taksi.
Sipas mediave belge, viktimat ishin dy suedezë, të cilët mbanin veshur fanellën e përfaqësueses së tyre.
Sulmi i armatosur ndodhi rreth 5 kilometër larg stadiumit ku po zhvillohej ndeshja, pranë Sainctelette Plein, në veri të qendrës së qytetit.
Nga të shtënat me kallashnikov mësohet se përveç dy të vrarëve ka mbetur i plagosur edhe një person tjetër.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:15 në afërsi të Place Sainctelette. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat policore dhe shërbimet e emergjencës. Asnjë i dyshuar nuk është arrestuar, ndërsa policia është vënë në kërkim të të dyshuarit.
Në disa video të postuara në rrjetet sociale, i dyshuari pretendon se i përket Shtetit Islamik. “Ne jetojmë për fenë tonë, ne vdesim për fenë tonë, faleminderit Zotit”, thotë ai në njërën prej tyre.
Në një video të fundit, të postuar në profilin e tij në Facebook, burri thotë: “Falë Zotit, vëllai juaj Abdesalam u hakmor ndaj muslimanëve, unë vrava tre suedezë vetëm tani”, ndërkohë policia konfirmon dy të vrarë dhe një të plagosur.
Antoine Iseux, zëdhënës i qendrës kombëtare të krizave, i kontaktuar nga “Le Soir” tha se, po monitorohet situata.
“Për momentin, dosja është ende duke u ndjekur nga prokuroria publike e Brukselit”, shpjegon ai.
Kryeministri, ministri i Brendshëm dhe ministri i Drejtësisë janë aktualisht në zonë për të monitoruar situatën.
Kryeministri belg, Alexander De Croo foli qartë për një “sulm frikacak kundër qytetarëve suedezë“. Ai i shprehu ngushëllimet e tij kryeministrit suedez Ulf Kristersson.
“Mendimet tona janë me familjet dhe miqtë që kanë humbur të dashurit. Si partnerë të ngushtë, lufta kundër terrorizmit është një luftë e përbashkët”, i tha kreu i qeverisë belge, kryeministrit suedez, Kristersson.
Ndërkohë që ndodhi ngjarja në stadiumin King Baudouin po zhvillohej një ndeshje futbolli mes Belgjikës dhe Suedisë. Një ndeshje e cila u ndërpre në pjesën e parë pasi, lojtarët suedezë nuk pranuan të kthehen në fushë, pas lajmit se dy tifozë u vranë në një akt terrorist.
Top Channel