Ish-presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari, dërguar i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Kosovën e njeriu i ngarkuar me organizimin e negociatave të procesit të statusit të saj, ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare në Helsinki.
Mbi planin e hartuar nga Ahtisaari, u shpall edhe pavarësia e Kosovës më 17 shkurt 2008. Dokumenti i tij shërbeu si bazë për hartimin e Kushtetutës së saj, sidomos në raport me pakicat kombëtare. Kështu, në Kuvendin e Kosovës, dhjetë vende parlamentare janë të rezervuara për komunitetin serb, ndërsa dhjetë të tjera për komunitetet e tjera që jetojnë në Kosovë. Serbët, po ashtu, kanë një vend të garantuar në Qeverinë e Kosovës.
Plani i Ahtisaarit i dha garanci të garanci të forta komunitetit serb. Ai rregullonte një sërë çështjesh, duke nisur nga ato të kulturës, gjuhës, fesë, traditës, por edhe të arsimit, shëndetësisë, ekonomisë dhe pronës, deri te formimi i komunave me shumicë serbe, nëpërmjet procesit të decentralizimit. Serbët në jug të Ibrit e patën pranuar planin në fjalë i cili i hapi rrugën integrimit të tyre brenda institucioneve dhe shoqërisë së Kosovës, ndërsa ata në veri të lumit e refuzuan deri më 2013, kur u arrit Marrëveshja e parë e Brukselit, e cila parashikonte formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ahtisaari u shpërblye me Çmimin Nobel për Paqe më 2008 për shkak të kontributit të tij për dhënien fund të konflikteve edhe në Indonezi, Namibi apo Irlandën Veriore. Ahtisaari kishte refuzuar të pranonte se luftërat dhe konfliktet ishin të pashmangshme. “Paqja është çështje e vullnetit. Të gjitha konfliktet mund të zgjidhen dhe nuk ka asnjë justifikim që t’i lejojmë që ato të bëhen të përjetshme”, deklaroi teksa pranonte çmimin prestigjioz në 2008-ten.
Top Channel