Shqipëria për një ditë u bë kryeqytet i Europës duke organizuar Samitin e Procesit të Berlinit.
Një ngjarje jo vetëm me rëndësi për vendin tonë, por edhe për të gjithë rajonin, duke treguar rikthimin e pashmangshëm të vëmendjes të Unionit Europian nga Ballkani Perëndimor, në një kohë kur lufta në Ukrainë sjell sfida të reja sigurie, përfshi tentativat e Rusisë për një rajon të destabilizuar, janë prezentë.
Nën rrezet e forta të diellit dhe në fokusin e kamerave të medias europiane, kryeministri Edi Rama priti udhëheqësit e BE përfshi ata të rajonit. E gjithë vëmendja dhe pritshmëritë shkuan te presidentja e komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila është angazhuar në një plan të ri rritje për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor.
“Është një samit shumë i veçantë ky që kemi sot. Është i dhjeti Samit i Procesit, por për herë të parë zhvillohet në Ballkanin Perëndimor. Besoj se përcjell një mesazh të fuqishëm, se sa të përkushtuar jemi ndaj zgjerimit. Një nga temat kryesore do të jetë ekonomia e Ballkanit Perëndimor. Për këtë arsye kam prezantuar planin e rritjes. Duam që t’u japim qasje në tregun e përbashkët europian. Për këtë, na duhen reforma në Ballkanin Perëndimor dhe ata që kanë vullnetin të reformohen, do të marrin financim nga Bashkimi Europian. Është një stimul për ata që vërtet duan të ecin përpara. Dyert tona janë të hapura, kështu që le të punojmë për këtë të çuar para këtë plan rritjeje”, tha Ursula von der Leyen.
Ndërkohë që presidentja e Komisionit Europian e vuri theksin në aspektin ekonomik, Kryeministri Holandës Mark Rutte paralajmëroi se pjesë e këtij Samiti do të jenë zhvillimet në Kosovë.
“Ne kërkojmë shumë të çtensionohet situata në veri të Kosovës. Kam folur javë më parë me presidentin Vuçiç, sot do të kem mundësi të flas me kryeministren e Serbisë dhe kryeministrin e Kosovës. Shpresoj që të gjithë të ndihmojmë për të ulur tensionet”, tha kryeministri holandez, Mark Rutte.
Pak përpara nisjes së samit në Piramidë, kryeministri Edi Rama i rikujtoi udhëheqësve europian se pavarësisht se ai është kreu qeverisë shqiptare, nuk heq dorë kollaj nga arti. U tregoi miqve në hollin e kryeministrisë një pikturë të një autori italian me tematikë Europën.
Top Channel