Në entuziazmin e fitores ndaj Çekisë, me atë mbrëmje madhështore që ngriti peshë zemrat kuqezi, Shqipëria shkon drejt një tjetër lloji prove. Këtë të martë në “Air Albania”, kuqezinjtë luajnë përballë Bullgarisë në një miqësore.
E para për Sylvinhon, i cili që kur mori drejtimin e stolit ka luajtur 6 takime, të gjitha zyrtare për eleminatoret e Euro 2024.
Trajneri brazilian pritet ta shfrytëzojë këtë test për të provuar lojtarë që janë aktivizuar më pak deri tani, duke ju dhënë mundësinë të provojnë vlerat me shumë fytyra të reja që pritet të jenë në formacionin titullar. Tifozët, më në fund do të kenë mundësinë të shohin emra të kërkuar në diskutimet në rrjetet sociale dhe jo vetëm.
Duke nisur nga Muçi, protagonist i një sezoni fantastik me Legian si një ndër yjet në ngjitje të futbollit shqiptar, por edhe në mesfushë e mbrojtje, e deri te porta. Pavarësisht se një miqësore, fryma pritet të jetë e njëjta: kushdo që zbret në fushë do të duhet të japë maksimumin me përqëndrim total. Një sfidë e rëndësishme kjo në planin personal edhe për futbollistët.
Me Shqipërinë që pret të formalizojë në nëntor kualifikimin në Euro 2022, çdo shans është i rëndësisë së jashtëzakonshme për çdo futbollist për t’i provuar trajnerit brazilian se vlen për t’u ftuar në fazën finale të kampionatit europian. Që do të zhvillohet verën e vitit të ardhshëm në Gjermani.
Bullgaria, edhe pse një emër i madh i futbollit botëror, teksa shkonte deri në gjysëmfinalet e Kupës së Botës në 1994, prej vitesh nuk përjeton kohë të mira. Ata nuk kualifikohen në një event madhor që nga Europiani i 2004. Bullgaria nuk fiton prej një viti, suksesi i fundit për ta ka qenë në mesin e nëntorit të kaluar, një fitore 2-0 në miqësore me Qipron.
Që nga ajo kohë, kundërshtarët e kuqezinjve në 8 ndeshje të luajtura kanë regjistruar 3 barazime dhe 5 humbje. E fundit këtë të diel kur u mundën 0-2 në shtëpi nga Lituania në ndeshjet kualifikuese të europianit , ku në grupin G ndodhen në vendin e fundit me vetëm dy pikë, pa asnjë shans kualifikimi.
Gjithsesi skuadra që drejtohet nga serbi Mladen Krstajic, i cili është me valixhe gati, është një kundërshtar që nuk mund të merret lehtë. Një tjetër sfidë për t’u fituar kjo për Shqipërinë, për të ruajtur një ecuri fantastike duke thyer të tjera rekorde nën drejtimin e Sylvinhos.
Shqipëri-Bullgari, vjen live në SuperSport 2, duke nisur prej orës 18:00 të së martës./Supersport
Top Channel