Shtetet e Bashkuara ia dërguan mesazhin Iranit si përmes nisjes së një aeroplanmbajtëseje të dytë dhe dyfishimit të trupave në rajon, ashtu edhe nëpërmjet kanaleve private.
“Ky nuk është një provokim, është një mase parandaluese: askush nuk duhet të bëjë veprime që çojnë drejt zgjerimit të konfliktit ose rritjes së agresionit kundër Izraelit në çdo drejtim”, përsëriti një ditë më parë Sekretari i Shtetit Antony Blinken.
Irani e ktheu përgjigjen e tij përmes aleatëve të SHBA-së dhe të dërguarit të OKB-së për Lindjen e Mesme, Tor Wennesland: Ne nuk e duam përshkallëzimin e situatës, por do të duhet të ndërhyjmë nëse operacioni i Izraelit në Gaza vazhdon.
Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir Abdollahian, pas takimit me liderin politik të Hamasit në Katar dhe kreun e Hezbollahut në Liban, tha për Al Jazeera: Nëse entiteti sionist vendos të hyjë në Gaza, udhëheqësit e rezistencës do t’i çojnë forcat pushtuese në varr dhe Shtetet e Bashkuara do të pësojnë “dëme të konsiderueshme.
Jake Sullivan, këshilltari për sigurinë kombëtare në SHBA, pohoi nga ana tjetër në një intervistë për CBS se: Kërcënimi është real. Ekziston rreziku i përshkallëzimit të këtij konflikti, i hapjes së një fronti të dytë në veri dhe padyshim i përfshirjes së Iranit. Ne duhet të përgatitemi për çdo skenar.
Ndërsa gjeneralët shprehin shqetësimin se Amerika mund të tërhiqet zvarrë në konflikt, sipas New York Times. Në lojë duket hyn dhe Kina. Ministri i jashtëm kinez Wang Yi, thuhet të ketë komunikuar me homologun saudite duke i thënë se veprimet e Izraelit e kanë kapërcyer vijën e vetëmbrojtjes dhe se shteti hebre duhet ta ndalojë ndëshkimin kolektiv të popullatës në Gaza. Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu sakaq mohoi raportet e një armëpushimi në Gaza, i cili do të lejonte largimin e të huajve nga territori dhe ndihmat humanitare.
Mediat amerikane kishin raportuar se Egjipti mund të rihapë kalimin në Rafah për disa orë duke nisur nga ora 9 e mëngjesit të sotëm, por aktualisht është i mbyllur.
Top Channel