Turizmi i kroçerave vazhdon edhe gjatë tetorit në Durrës.
Sot në mëngjes bregëzua në portin detar të Durrësit kroçera “Seven Seas Navigator”, me 437 turistë, kryesisht nga SHBA dhe Anglia.
Pas mbërritjes në Durrës, sipas Autoritetit Portual Durrës, 21 autobusë të agjencive turistike u nisën menjëherë drejt qyteteve të Beratit, Krujës dhe Tiranës, ndërsa një grup i madh turistësh do të vizitojnë gjatë ditës së sotme qytetin e Durrësit, si dhe monumentet arkeologjike dhe historike të tij.
Kjo kroçerë po kryen një lundrim turistik në detet Adriatik dhe Jon. Ajo është nisur natën e kaluar nga porti grek i Pireut dhe pasditen e vonë të së hënës do të niset nga Durrësi drejt Dubrovnikut. Deri në fund të vitit kjo kroçerë do të vijë edhe dy herë të tjera në vendin tonë duke sjellë të tjerë turistë të huaj.
Ndërkohë, edhe turizmi përmes jahteve vijon të jetë i lartë këtë sezon, duke sjellë të ardhura shtesë në arkën e shtetit përmes së ashtuquajturës “taksa e luksit” për çdo jaht që ndalon për t’u furnizuar me karburant dhe shërbime të tjera në vendin tonë.
Top Channel