Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis që po merr pjesë në samitin e procesit të Berlinit në Tiranë, foli para mediave sërish për Fredi Belerin.
Klimën e ftohtë mes dy vendeve e përcolli gjuha e trupit e kryeministrit të Greqisë kur shtrëngoi duart me homologun shqiptarë Edi Rama.
Pasi deklaroi se “Greqia mbështet në mënyrë të vendosur dhe të palëkundur perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor” gjuha e kryeministrit të vendit tonë fqinj i shkoi atje ku i dhemb dhëmbi. Fredi Beleri.
“Po, çështjen e Fredi Beleris do ta diskutoj me kryeministrin Rama. Qëndrimi ynë për këtë çështje është shumë i qartë: nuk kam ndërmend dhe as nuk është detyra ime të ndërhyj në proceset e drejtësisë së pavarur shqiptare. Megjithatë, Fredi Beleri ka të drejtë të betohet, edhe nëse mbetet në paraburgim. Këtë do t’ia bëj absolutisht të qartë Edi Ramës dhe shpresoj që këtë çështje ta zgjidhim me një sens pozitiv”, tha ai.
Me një gjuhë të drejtpërdrejtë e nota kërcënuese kryeministri i Greqisë përsëriti se çfarë qëndrimi do të mbaj në raport me integrimin e Shqipërisë në BE
“Është shumë e rëndësishme që zoti Beleris të betohet si kryetar i Bashkisë së Himarës , në mënyrë që kjo hije e rëndësishme, që në këtë moment padyshim prek marrëdhëniet greko-shqiptare, të largohet. Do të përsëris, dhe nga këtu, se zgjidhja e kësaj çështjeje është një kusht i domosdoshëm që Greqia të ndërmarrë hapin e radhës dhe të pranojë nisjen e procesit të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian”, tha ai.
Shpresoj dhe uroj theksoi kryeministri Greqisë, që ky problem të zgjidhet në një frymë bashkëpunimi dhe dëshire të mirë, pa lënë hije në marrëdhëniet mes dy shteteve.
Top Channel