Sulmi në Banjskë/ Rama: Samiti i Procesit të Berlinit s’është vendi për zgjidhje konfliktesh bilaterale! Von Der Leyen: Kosova dhe Serbia të kthehen në tryezë!

15/10/2023 19:47

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama është ndalur edhe te Marrëveshja e Ohrit, e bazuar në planin franko – gjerman.

E pyetur për situatën e tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, i bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit të kthehen në tryezën e dialogut për të normalizuar marrëdhënien.

Marrëveshja e Ohrit, është baza për pajtimin nëpërmjet dialogut të BE. Është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të kthehen në tryezë për të normalizuar marrëdhënien mes tyre dhe kjo është e vetmja mënyrë nëpërmjet dialogut. Kjo është rruga e duhur për të ardhmen. Kosova dhe Serbia do të jenë pjesë e BE. Pra pajtimi angazhimi, bashkëpunimi tërësisht të domosdoshme dhe vendi për ta bërë këtë është dialogu”- tha Von der Leyen.

Ndërkaq, kryeministri Edi Rama u shpreh se Samiti i Procesit të Berlinit që do të mbahet nesër, nuk do të ketë një qëndrim për çështjen e Kosovës dhe Serbisë.

“Procesi i Berlinit, si dhe samitet nuk janë vendi për zgjidhjen e çështjeve bilaterale, por në programin e samitit që është përgatitur prej shumë kohësh në harmoni me kancelarinë gjermane dreka e punës e liderëve do t’i kushtohet edhe marrëdhënieve fqinjësore në rajon. Hapësira për një diskutim të hapur mes të pranishmëve është programuar por nuk është një samit që merr përsipër të gjejë zgjidhje për probleme që siç e tha presidentja në lidhje me çështjen konkrete janë probleme që trajtohen dhe duhet të zgjidhen nën ombrellën e BE”- tha Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA