Prej janarit të vitit 2024 spitali i Tepelenës pritet që të ndryshojë statusin e tij nga spital bashkiak në një qendër të kujdesit paliativ, geriatrik dhe riaftësimi që do të thotë një strukturë që përjashton shtrimet dhe shërbim i përqëndruar kryesisht tek kujdesi për të moshuarit dhe të sëmurët kronikë.
Por mjekët, personeli mjekësor dhe pacientët mendojnë se vendimi duhet të rishihet në raport me nevojat shëndetësore që mbulon ky spital.
“Nuk kemi ku të shkojmë nëse shërbimi mbyllet. Mirë ata që kanë mundësi po ata që skanë? Siç e shihni spitali është plot me njerëz. Sa mora shënimin për ilaçet e diabetit. Ku të vete nëse e mbyllin? Këtu bëj vizita përherë”- tha një pacientë.
“Vuaj nga zemra, veshkat dhe nga tensioni. Ndonjëherë vij javë për javë se kam probleme dhe marr shërbim. Mos na e hiqni shërbimin se na morrët në qafë”- tha një tjetër qytetar.
“Ka fjalë që mund të thuhen, mos të kesh shërbim në një spital me gjithë këta banorë. Funksioni është reduktuar se banorët kanë ikur me vitet e ka rënë edhe numri i mjekëve se ka pasur shumë mjekë dikur por pavarësisht këtyre spitali ka funksionuar. Nëse mbyllet spitali tani do cënohen edhe pacientët edhe personeli sepse do reduktohen vendet e punës”- tha një anëtar personeli.
Shahin Meçe, një nga mjekët kryesorë që shërben prej më shumë se 30 vitesh, në spital mendon se funksionet janë reduktuar me kohën për shkak të mungesës së mjekëve specialistë dhe largimit të popullsisë por spitali sipas tij ja ka dalë të mbajë funksionin e tij në shërbim të banorëve.
“Me thënë të drejtën mbyllja e aktivitetetit spitalor siç është planifikuar në një udhëzim që ka dërguar Ministria e Shëndetsisë na krijon një ndjesi jo pozitive sepse ne kemi shërbyer me sa kemi mundur në këtë komunitet banorësh. Arsyeja kryesore besoj se është mungesa e mjekëve specialistë por ne i shërbejmë një komuniteti rreth 40 mijë banorë. Mbyllja e aktivitetit spitalor për sëmundjet e brendshme dhe pediatrinë sjell ndikim negativ për këtë komunitet sepse ne kemi edhe zona të largëta. Tani marrin shërbim këtu me shtrim në spital. Pas ndryshimeve ju rritet vështirësia dhe distanca për të shkuar në Gjirokastër e mund të mos e marrin edhe dot fare ndihmën mjekësore”- u shpreh mjeku Shahin Meçe.
Spitali i Tepelenës ka një personel prej 120 vetësh e sipas raportit zyrtar të Ministrisë së Shëndetsisë e ka zënien e 72 shtretërve vetëm 3% për vitin 2022. Spitali ka kryer gjithsej 160 shtrime ndërsa ndërhyrjet kirugjikale janë ndërprerë prej 15 vjetësh. Aktualisht spitali operon me 5 mjekë të specialiteteve bazë, ndërsa mungojnë 9 mjekë specialistë.
Plani i ri i menaxhimit e sheh spitalin të përqëndruar tek shërbimi i urgjencës 24 orëshe ndërsa të gjitha rastet e tjera do të transferohen në spitalin e Gjirokastrës. Në Tepelenë gjatë 2022 janë ofruar rreth 3500 vizita në urgjencë por institucioni është renditur me efiçencë mjaft të ulët në raport me kostot për ta mbajtur aktiv me personel, medikamente dhe logjistikë.
Top Channel