Përfundon orari hapjes së korridorit humanitar në Gaza! Izraeli pritet të nisë ofensivën

15/10/2023 15:03

Ora zyrtare e lejimit të kalimit të civilëve palestinezë nga veriu i Gazës në pjesën jugore ka përfunduar dhe tashmë ushtria izraelite ka lajmëruar se do të sulmojnë nga toka, ajri dhe deti, por nuk ka përcaktuar zyrtarisht një afat kohor.

Korridori i evakuimit për banorët vendas qëndroi i hapur për disa orë, duke i lejuar kalimin në vendet e sigurta shumë personave, përpara nisjes së ofensivës së Izraelit. Ushtria izraelite njoftoi 1.1 milionë palestinezë të largoheshin nga Rripi i Gazës, por pavarësisht kësaj thirrjeje u raportua se Hamasi po pengon kalimin e civilëve në zonat e sigurta.

Dy komandantë të militantëve të Hamasit që udhëhoqën sulmin e 7 tetorit në Izrael janë vrarë. Ata njoftuan se viktimat janë Merad Abu Merad, i cili ishte kreu i sistemit ajror të Hamasit, dhe Ali Qadi, një komandant forcave komando.

Tashmë trupat kanë nisur të vendosen në kufirin me Rripin e Gazës, ku në dispozicion janë edhe 300 mijë rezervistë të thirrur nga qeveria. Ata po furnizohen me armatime të nevojshme, që pritet t’i përdorin gjatë momentit që do të depërtojnë në Rripin e Gazës.

Si pasojë e bombardimeve në Rripin e Gazës janë vrarë të paktën 2300 palestinezë, ndërsa dëmet mbeten të rënda.  Që pas sulmit të befasishëm në Izrael, militantët e Hamasit kanë vrarë 1300 persona, ndërsa 126 persona dyshohet se janë marrë peng.

Sulmet kanë vijuar edhe gjatë natës, teksa Izraeli ka goditur objektivat në të cilat pretendon se janë të vendosur militantët. Ndërkohë tensione ka edhe në Liban, aty ku Izraeli ka goditur me raketa, për shkak të sulmeve që Hezbollah ka kryer kundrejt reparteve të tyre ushtarake.

Duke parë situatën, SHBA-ja e cila ka qëndruar pranë Izralit që në ditën e parë të sulmeve SHBA-ja ka dërguar një aeroplanmbajtëse të dytë për të frenuar përhapjen e konfliktit Izrael-Hamas.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA