Festivali Ndërkombëtar Teatror Skampa 2023 çeli edicionin e tij të 25 në Teatrin e Elbasanit. Çerek shekulli rrugëtim mes sfidave, vështirësive, por mbi të gjitha mes sukseseve si i vetmi festival më jetëgjatë i këtij lloji në Shqipëri.
300 vepra janë vënë në skenë në 25 vite nga trupa teatrore nga më shumë se 50 vende të botës.
“Ky është festivali Skampa, i qytetit të Elbasanit. Është një festival model që nuk e ka deri më sot asnjë në Shqipëri. Janë 25 edicioni. Një festival që tenton të akordojë vlerat bashkëkohore të teatrit me ato evropiane dhe botërore”, tha Drejtori i Festivali të Teatrit, Adonis Filipi.
“Këtë vit festivali është i larmishëm. Ashtu si çdo vit, ai vjen ndryshe, ndryshe në tematikë, ndryshe në larminë e formave dhe stileve prurëse. Kemi teatër, kemi teatër rruge, kemi teatër dancing. Pra, kjo larmi stilesh, kjo larmi alternative e festivalit, e bën akoma më unik atë.”
Në gjithë këto vite Festivali Ndërkombëtar i Teatrit ka ndikuar në rritjen e imazhit të Shqipërisë në botë, rritjen e jetës artistike në qytet dhe promovimin e vlerave qytetare dhe artistike të këtij qyteti.
“Është një rrugëtim për të kontribuuar për rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve, për promovimin e vlerave bashkëkohore të teatrit, komunitetit teatror shqiptar dhe mbi të gjitha për rritjen e imazhit shqiptar në botë”, tha Filipi.
Në edicionin e 25 të këtij festivali marrin pjesë 9 trupa teatror me 10 shfaqje, duke sjellë për publikun copëza të kulturës së vendeve nga vijnë. Do të ngjiten në skenë për artdashësit trupa teatrore nga Italia, Franca, Kazakistani, Bullgaria, Spanja, Kosova etj.
Top Channel