Maratona e Tiranës, në edicionin e shtatë do të marrin pjesë tre mijë vrapues

14/10/2023 15:04

Tirana është gati për të mirëpritur rreth 3000 vrapues nga 43 vende të ndryshme të botës, që do të marrin pjesë në edicionin e 7-të Maratonës në 22 Tetor.

“Kemi patur disa edicione fantastike, por steka rritet çdo vit. Tani na duhet një performancë jashtëzakonisht serioze, sidomos kur shoh që do të marrin pjesë vrapues nga 43 shtete të botës. Deri tani kemi 3 mijë regjistrime në total, me pjesëmarrës nga Shqipëria, Algjeria, Australia, Austria, Azerbajxhani, Belgjika, Bosnja, Kanadaja, Kroacia, Kolumbia etj. Do të kemi edhe nga miqtë tanë çekë, që ndoshta rikthehen për të kapur një medalje, pas humbjes në futboll. Do të kemi edhe vrapues nga Danimarka, Estonia, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Indonezia, Irlanda dhe Izraeli, të cilët do të vijnë pavarësisht situatës shumë kritike atje. Gjithashtu kemi dashamirës të sportit nga Italia, Kenia, patjetër nga Kosova, Letonia, Lituania, Maqedonia, Mali i Zi, Vendet e Ulëta, Norvegjia etj. Pra, 600 nga 3 mijë pjesëmarrës, janë të huaj”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku Erion Veliaj vuri theksin te mbarëvajtja e Maratonës, me fokus te sinjalistika shpjeguese, e deri te mirëkuptimi nga ana e qytetarëve të Tiranës për bllokimin e disa rrugëve në kryeqytet.

“I ftoj të gjithë qytetarët të dalin dhe të përshëndesin vrapuesit, por nëse munden, le të shmangin daljet me makina. Sigurisht, mund të ketë ende nga ata cinikët, që thonë ‘ç’na duhet maratona ne’. Përgjigjja për secilin nga ata që e bën këtë pyetje është: Sa të vlen shtëpia sot? A vlen njësoj si para 7 vitesh? Një nga arsyet pse të rritet vlera e shtëpisë, është se këto aktivitete krijojnë më shumë reputacion për vendin tonë, dhe kur ndodhin pa incidente, vendi ngrihet gjithmonë e më lart, edhe në qytet gjithnjë e më shumë ka vlerë prona, ka vlerë ekonomia”, tha Veliaj.

Veliaj  dha disa detaje për çmimet që do jepen këtë vit, ndërsa tha se garës së Maratonës së Tiranës, do i paraprijë, si çdo vit, gara “Fun Run”, ku vrapohet për qejf dhe pjesëmarrës janë të rinjtë e qytetit.

“Këtë vit kemi një çmim goxha të lartë: Vendi i parë do të marrë 5 mijë euro, vendi i dytë 3 mijë euro dhe vendi i tretë 2 mijë euro, njësoj si për femra, edhe për meshkuj. Kjo është një nga arsyet pse tërheqim shumë ekipe, që vijnë nga vende të ndryshme, që janë profesionistë dhe synojnë të marrim premion ose të thyejnë rekordet e tyre personale ose kombëtare”, tha Veliaj.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA