Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, njoftoi se gjendja e të helmuarve një ditë më parë në Komunën e Malishevës është e qëndrueshme.

Të premten është raportuar për një rast helmimi në këtë komunë, por ende nuk dihet shkaku i saktë i helmimit të dhjetëra qytetarëve.

Vitia thotë se janë 68 qytetarë të helmuar, ndërsa Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njofton se shifra shkon në 100. 11 qytetarë ndodhen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe nëntë tjerë në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit.

“Inspektoratet dhe organet ligjzbatuese janë në terren dhe kanë marrë të gjitha të dhënat lidhur me rastin dhe burimin e shkakun e helmimit”, shkruan Vitia përmes një postimi në Facebook.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Malishevës, Hajdin Berisha tha për median Radio Evropa e Lirë se helmimi dyshohet të jetë bërë me ushqim “në një biznes në Malishevë”.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, u shpreh në një konferencë për media se agjencia ka kryer inspektim të detajuar në biznesin e dyshuar.

“Gjendja e përgjithshme sanitare, higjienike ka qenë e nivelit jo të mirë. Ky vlerësim është bërë nga ekipi inspektues. E dyta, nuk kanë pasur libreza sanitare punonjësit e atij lokali, që sipas ligjit kërkohet t’i kenë. Nuk ka pasur të kryer dezinfektim, deratizim dhe dezinsektime, që përsëri është kriter. Po ashtu, aty janë gjetur disa produkte që ne i quajmë pa origjinë, nuk kanë pasur dokumentacion mbështetës për t’u ditur origjina e tyre. Ka pasur produkte që janë gatuar brenda asaj kuzhine, dhe këto të gjitha janë fakte që do t’i evidentojmë në proces dhe më pas organet tjera do t’i vlerësojnë”.

Sipas tij, do të rriten inspektimet në bizneset që përgatisin ushqime të shpejta, sepse aty regjistrohen rastet më të shpeshta të helmimit. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë është përgjegjëse për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve, përmes sigurisë ushqimore, që Kosova synon ta ketë sipas standardeve të Bashkimit Evropian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA