“Paqe dhe bashkim, një gjuhë, dy popuj”! Mesazhi prekës brenda një makine! Terroristët i ekzekutojnë

13/10/2023 11:40

Është gjetur makina e katërt e braktisur përgjatë territorit në kufi me Gazën, në operacionin e forcave izraelite.

Në këtë operacion, ku i pranishëm është edhe gazetari i Top Channel, janë gjetur përveç makinave të braktisura, edhe rroba që dyshohet se janë përdorur nga personat që kanë marrë pjesë në festivalin, i cili u ndërpre nga sulmi tragjik terrorist.

Në makinën e katërt që është gjetur, shihen dokumente dhe rroba të shpërndara, ku në sy bie një letër e shkruar në gjuhën arabe dhe hebraike. Në të shkruhej “paqe dhe bashkim për të gjithë popujt. Një gjuhë, dy popuj”.

Sipas gazetarit Artur Bibe, terroristët e Hamasit nuk i kanë kursyer këta persona që ndodheshin në makinë, duke i ekzekutuar.

Ushtria izraelite paralajmëroi sot të gjithë civilët në qytetin e Gazës që të evakuohen “në drejtim të jugut”, pasi OKB-ja tha se një urdhër për evakuimin masiv të Gazës veriore ishte i pamundur.

Nga ana tjetër, militantët e Hamasit u kanë thënë palestinezëve që jetojnë në Rripin e Gazës që të mos largohen nga shtëpitë e tyre.

Forcat izraelite po vazhdojnë bombardimet ndaj Gazës në përgjigje të  sulmeve terroriste të Hamasit që vranë më shumë se 1300 njerëz.

Izraeli gjithashtu ka grumbulluar më shumë se  300,000 rezervistë  përgjatë kufirit të tij jugor,  por nuk ka konfirmuar nëse po planifikon një operacion të intensifikuar ushtarak.

Gaza po përballet me mungesë ushqimesh dhe uji. Më shumë se 1500 njerëz janë vrarë në Gaza, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë. Sulmet ajrore kanë zhvendosur gjithashtu 423,000 njerëz , sipas OKB-së.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA