Puna e bërë ndër vite duke pritur me mijëra turistë, dhjetëra ekspozita të artisteve të famshëm dhe promovimi ndërkombëtar, po shpërblehen.
Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” ka firmosur marrëveshjen e bashkëpunimit me arkivin fotografik më të vjetër të botës, Arkivin “Alinari”. Drejtori Lucian Bedeni, thotë se ky moment historik për fotografinë shqiptare, do të pasohet me krijimin e një shkolle fotografie.
“Me Alinarin është një pikë shumë e rëndësishme. Është historike. Ky bashkëpunim ka një tjetër synim. Një shkollë fotografie i cili është një projekt i Marubit shumë ambicioz. Nuk do të jetë një shkollë e thjeshtë fotografie, vëmendja jonë do të jetë për restaurimet, për konservimin, mënyrën e digjitalizimit dhe trajtimin e arkivave”, tha Lucian Bedeni, drejtor i Muzeut Kombëtar “Marubi”.
Bashkëpunimi me italianet nis me dy ekspozita të dy prej artisteve me të mirë në historinë e artit botëror por ky është vetëm fillimi.
“Shumë e rëndësishme ! Ne jemi shumë të lumtur me faktin që arkivi ynë, hyn ne kontakt me një tjetër arkiv fotografik që ka lindur nga një fotograf Italian si Marubi. Koleksioni i jashtëzakonshëm që ka dhe cilësia e konservimit të këtyre materialeve, që nuk është aspak e lehtë, janë ato që e bëjnë të veçantë muzeun “Marubi”. Nuk do të sjellim vetëm ekspozitën vitin e ardhshëm, pasi do të punojmë që të mësojmë të rinjtë të njihen me proceset e restaurimit të fotografive, konservimit”, tha Giorgio van Straten, president i “Alinari”.
“E gjitha kjo është një histori interesante, pasi nis nga një JO. Kur mësova se do të jem drejtor i Institutit Italian të Kulturës, për shkak edhe të njohjeve, doja të sillja një ekspozitë të ‘Alinari’ në Shqipëri. Mora një JO në fillim, por sot ja kemi arritur dhe arsyet përse janë të shumta, vetë fakti i asaj që përfaqëson Marubi dhe punën që bën drejtori dhe stafi i tij këtu. Sot kemi firmosur një marrëveshje afatgjate dhe me fryte për vitet në vazhdim mes Marubit dhe Alinarit”, tha Alessandro Ruggera, drejtor i Institutit Italian të Kulturës.
Alinari është i përbërë prej më shumë se 5,000,000 artefaktesh që datojnë nga viti 1841 e deri në ditët tona, pjesë e qindra fondeve, arkivave dhe koleksioneve me rëndësi për historinë e fotografisë botërore.
Top Channel