Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale mundësoi që për herë të parë shërbimi i mamografisë së lëvizshme të shkojë pranë vajzave dhe grave në Fishtë të Lezhës, në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.
Ministrja Albana Koçiu dhe kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu apeluan gratë dhe vajzat që të kryejnë ekzaminimet jo vetëm gjatë tetorit rozë, por edhe në muajt në vazhdim.
Koçiu vlerësoi kontributin e grave për zhvillimin e zonës ku ato jetojnë, sakrificat për familjet e tyre ndërsa nënvizoi se qëllimi kryesor është që kjo iniciativë të shtrihet edhe në zona të tjera rurale, aty ky gratë kanë akses më të ulët për këtë shërbim, për shkak edhe të angazhimit të pandërprerë që vajzat dhe gratë u kushtojnë punëve të përditshme.
Vetëm 15 km larg qyteti i Lezhës, Fishta është kthyer vitet e fundit në një destinacion turistik mjaft të pëlqyer në çdo stinë të vitit dhe kontributi i grave është dyfishuar. Koçiu vuri në dukje se gratë e kësaj zone janë jashtëzakonisht të ngarkuara në këtë komunitet nisur edhe nga fluksi i turistëve pothuajse gjatë gjithë vitit dhe shpesh i neglizhojnë kontrollet e domosdoshme shëndetësore.
Në krah të vajzave dhe grave, ministrja apeloi që të marrin vetëm disa minuta nga dita e ngarkuar dhe të bëjnë kontrollet periodike të shëndetit. Ajo u shpreh se tetori është muaji i ndërgjegjësimit për sëmundjen e kancerit të gjirit që për fat të keq është shumë e përhapur dhe po përhapet gjithmonë edhe më shumë.
Ministrja Koçiu shtoi se kjo sëmundje ndonëse ka fatalitet të lartë, për fat të mirë nëse diagnostikohet në kohë është plotësisht e kurueshme.
“Prandaj edhe ne duam shumë që t’i japim mundësinë çdo gruaje që nuk ka mundësi. Prandaj ka rëndësi që ta ngremë zërin dhe gjithë motrat, miket tuaja, shoqet, nënat t’i bëni bashkë dhe t’i kujtoni vazhdimisht që është shumë e rëndësishme që të bëjnë kontrollin periodik të gjirit sepse kështu mund të shpëtojmë jetë. Vetëm kështu ne mund ta parandalojmë në kohë edhe të dianostikohemi herët dhe falë mjekëve dhe gjithë pajisjeve që kemi vënë në dispozicion, në këtë rast konkret mamografitë lëvizëse, të bëjmë të mundur evidentimin e hershëm të kësaj sëmundjeje dhe ta kurojmë në kohë”, nënvizoi ministrja.
Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu falënderoi Ministren e Shëndetësisë që mundësoi ardhjen e mamografisë pranë vendit ku jetojnë dhe punojnë gratë e kësaj zone.
Ai theksoi rëndësinë e kryerjes në kohë të ekzaminimeve pasi nëse kapet në kohë mund të shërohet.
“Mamografia është falas, është e lëvizshme ju vjen këtu vetëm me u lidh me gjithë ekipin mjekësor kështu që gjithçka është në dispozicion”, u shpreh ai.
Top Channel