Izraeli akuzohet për përdorim të fosforit të bardhë në sulmet në Gaza e Liban (fotot)

13/10/2023 18:28
Goditjet ne Gaza, sipas TV palestineze

Grupi ndërkombëtar i të drejtave ‘Human Rights Watch’ tha sot se ka verifikuar videot ku shihet shpërthime të predhave me lëndën e rëndë helmuese fosfor i bardhë, në sulmet e ushtrisë Izraelite.

Aktivistët akuzonin ushtrinë e Izraelit për përdorimin e lëndës së  ndaluar helmuese në  operacionet në Gaza e Liban, e cila lë civilët me pasoja afatgjata shëndetësore.

Ushtria izraelite e pyetur për komentet tha se “aktualisht nuk është në dijeni të armëve me fosfor të bardhë të përdorura në Gaza”. Ata nuk komentonin mbi akuzat e përdorimit të tyre në Liban.

Izraeli po bombardon në Gazan në kundërpërgjigje të sulmit të Hamas në qyteza izraelite kësaj jave ku raportohet se u vranë disa qindra vetë. Ndërsa të paktën 1,000 palestinezë janë vrarë nga bombardimet në Gaza teksa Izraeli thotë se ka sulmuar dhe grupin Hezbollah në Liban.

‘Human Rights Watch’ tha se ka verifikuar video të bëra  në Liban më 10 tetor dhe në Gaza më 11 tetor ku tregohen “disa shpërthime artilerie të Izraelit me pluhur fosfori të bardhë në qytetin bregdetar të Gaza dhe në dy vendndodhje rurale të kufirit Liban -Izrael”.

Adresat e dy videove të postuara në rrjetet sociale tregonin për “predha artilerie 155mm me fosfor të bardhë që përdoreshin për të sinjalizuar ose bllokuar pamjen e vendndodhjeve”.

Televizionet palestineze kanë shfaqur së fundmi vija tymi të bardhë në qiellin e Gaza për të cilat thonin se krijoheshin nga municione të tilla.

Agjencia Reuters tha se nuk mund të verifikonte versionet e palëve.

Ushtria e Izraelit në 2013 ka thënë se po eliminonte municionet e fosforit të bardhë pas përdorimit të tyre në ofensivën 2008-09 në Gaza, që solli akuza të shumta për krime lufte nga grupe monitoruese.

Fosfori i bardhë mund të përdoret në fushëbetejë për të bllokuar pamjen e armikut ose për të krijuar ndriçim, si dhe për të djegur bunkerë ose ndërtesa.

Fosfori i bardhë konsiderohet lëndë djegëse sipas protokollit të ndalimit të disa armëve konvencionale dhe nuk mund të përdoret në vendndodhje civile. Izraeli nuk është pjesë e kësaj konvente ndërkombëtare./TheGuardian/

FOTO GALERI
1/3
Aktivistët akuzonin ushtrinë e Izraelit për përdorimin e lëndës së ndaluar helmuese në operacionet në Gaza e Liban, e cila lë civilët me pasoja afatgjata shëndetësore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA