Me moton “ec për jetën” “vrapo për jetën” ishte aktiviteti sensibilizues në kuadër të muajt rozë, kundër kancerit të gjirit.
Gra e vajza u mblodhën duke dhënë mesazhe sensibilizuese për kontrolle të vazhdueshme.
Tetori rozë, i konceptuar si një fushatë për të rritur ndjeshmërinë e grave dhe vajzave për kryerjen e kontrolleve periodike të gjirit, synon edhe rritjen e sensibilitetit mbi mundësitë e parandalimit në avancimin e kësaj sëmundjeje.
Momografia statike në spitalin rajonal dhe mamografia e lëvizshme janë zgjidhja që kanë sot gratë dhe vajzat në Lezhë për t’u diagnostifikuar në kohë që për Drejtoreshën e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, Zoje Zefaj, duhet të jenë motiv për të bërë ekzaminime të vazhdueshme gjatë gjithë vitit.
Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, tregoi shembullin e tij duke thënë se e ka nxitur bashkëshorten për të kryer kontrollin pasi kjo është mënyra më e mirë për të treguar kujdes për shëndetin.
“Dua t’ju them se para dy ditësh i kam sugjeruar gruas time për të shkuar për të bërë mamografinë, për t’u kontrolluar veten. Është shumë e rëndësishme që ky sensibilizim t’i bëjë gratë të ndërgjegjshme të egzaminohen. Sepse nëse e ke dhe nuk e ekzaminon është me pasoja katastrofike. Në shumë raste këto probleme janë zgjidhur, nëse janë kapur në kohë”, tha Nredu.
Aktiviteti ka vijuar edhe me shpërndarjen e informacionit mbi rrezikun e kësaj semundjeje, simptomat, mundësite për ekzaminimin e hershëm dhe kurimin e saj.
Top Channel