Këshilli Norvegjez për Refugjatë (KNR) i ka bërë thirrje ditën e sotme komunitetit ndërkombëtar për krijimin e korridoreve në mënyrë që të jetë i mundur dërgimi i ndihmave humanitare në Gaza.
“Ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që urgjentisht të ngul këmbë në qasjen humanitare dhe mbrojtjen e civilëve”, tha KNR-ja në një komunikatë të enjten.
Më herët gjatë ditës, ministri i Energjisë i Izraelit, Israel Katz, tha se rrethimi i Rripit të Gazës nuk do të përfundojë derisa Hamasi t’i lirojë të gjitha pengjet izraelite. Izraeli e nisi rrethimin e Rripit të Gazës të hënën, dy ditë pasi militantët e Hamasit i thyen barrierat kufitare dhe u futën në jug të Izraelit për ta kryer njërin prej sulmeve më vdekjeprurëse në historinë e Izraelit.
Së paku 150 pengje u dërguan në Gaza gjatë sulmit të Hamasit në fundjavë, ku mbetën të vrarë mbi 1.200 izraelitë. Ushtria izraelite është duke e bombarduar Gazën që nga dita e hënë, duke bërë që rreth 1.200 palestinezë të vriten gjatë kësaj periudhe.
Top Channel