Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, nuk sheh zgjidhje tjetër përveç asaj politike për ngërçin e ri të krijuar mes Kosovës e Serbisë pas sulmit të Banjskës.
“Tani ne kemi një problem që duhet zgjidhur. Kushdo që është përgjegjës për të, ne do të duhet të kemi një zgjidhje politike, do të duhet të ulemi dhe të kuptojmë se çfarë është e drejtë”, u shpreh Hill duke folur në Konferencën e Sigurisë të Beogradit. Kreu i misionit diplomatik amerikan theksoi se kjo zgjidhje nënkupton “një lloj statusi” për serbët në Kosovë, dhe në anën tjetër, “ndërkombëtarizim më të madh” për Kosovën.
Hill tha se ai “do të donte që Serbia të kuptojë dhe të njohë se Kosova është një shtet i pavarur”, por problemi është “më kompleks se kaq”.
“Ne duhet të inkurajojmë të dyja palët që të dëgjojnë njëra-tjetrën”, ishte komenti i tij. Ambasadori shtoi se hapi i parë në zgjidhjen e krizës aktuale është të kuptohet se çfarë ndodhi dhe personat përgjegjës të japin llogari, në mënyrë që diçka e tillë të mos ndodhë më.
Qeveria në Kosovë vazhdon të akuzojë Serbinë për incidentin e 24 shtatorit, ndërsa Beogradi zyrtar mohon përfshirjen. Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e ka marrë publikisht Millan Radojçiçi, ish-nënkryetar i partisë së serbëve të Kosovës, Listës Serbe, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, kryetar i së cilës ishte deri vonë presidenti Aleksandër Vuçiç.
Top Channel