Restaurimi i gjimnazit “Partizani” në kryeqytet ka mbaruar dhe ka hapur dyert për nxënësit e saj, këtë herë me kushte më të mira.
“Për ata që kanë qenë të shqetësuar pas tërmetit, të gjitha kollonat e shkollës janë përforcuar me çelik dhe beton, Prandaj dua të falenderoj inxhinierët, të cilët kanë punuar në një hapësirë relativisht të vogël, për t’u siguruar që edhe shkalla e emergjencave, që zakonisht vjen si shtojcë e ndërtesës, të jetë një pjesë kyçe edhe për estetikën e fasadës, duke ikur nga ato fasadat e vjetra si kuti shkrepëseje”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku Erion Veliaj shtoi se koha kur privati ndërtonte me cilësi më të lartë se godinat publike, mund të quhet e perënduar.
“Kur e nisëm këtë punë, ishim mësuar se çdo gjë e shtetit ishte më e shëmtuar, më e pistë dhe më e rrënuar, se ajo e privatit. Kur shikon sot shkollat “Servete Maçi”, “Sami Frashëri”, apo “Partizani”, gjërat e privatit duken më të vjetra, më të lëna pas dore dhe më të rrënuara. Më në fund, ia mbërritëm kohës kur dritën e syrit, që janë fëmijët tanë, e çojmë në shkollat me infrastrukturën më të mirë e më të bukur në vend. Fëmijët vërtet mund të jenë 25% e popullsisë, por janë 100% e së ardhmes sonë”, shtoi ai.
Top Channel