Një spin-off i degës palestineze të Vëllazërisë Myslimane në fund të viteve 1980, grupi militant islamik Hamas pushtoi Rripin e Gazës pasi mposhti partinë politike rivale, Fatah, në zgjedhjet e vitit 2006.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë cilësuar Hamasin një organizatë terroriste për shkak të rezistencës së tij të armatosur kundër Izraelit, me bomba vetëvrasëse dhe sulme me raketa. Konflikti i vitit 2021 i Hamasit me Izraelin përfundoi me një armëpushim dhe ngriti pozitën e grupit mes palestinezëve, shumë prej të cilëve tani favorizojnë liderin e Hamasit mbi atë të Fatahut.
Si u krijua grupi i armatosur palestinez që shumë vende e kanë cilësuar si grup terrorist?
Hamasi është një lëvizje militante dhe një nga dy partitë kryesore politike të territoreve palestineze. Ai qeveris më shumë se dy milionë palestinezë në Rripin e Gazës, por grupi është më i njohur për rezistencën e tij të armatosur ndaj Izraelit. Dhjetëra vende e kanë cilësuar Hamasin një organizatë terroriste, megjithëse disa e përdorin këtë emërtim vetëm për krahun e tij ushtarak. Irani i ofron mbështetje materiale dhe financiare dhe Turqia thuhet se ka aty disa nga udhëheqësit e saj të lartë. Partia rivale e saj, Fatah, e cila dominon Organizatën për Çlirimin e Palestinës (PLO) dhe sundon në Bregun Perëndimor, ka hequr dorë nga dhuna. Ndarja në udhëheqjen palestineze dhe armiqësia e palëkundur e Hamasit ndaj Izraelit kanë pakësuar perspektivat për stabilitet në Gaza.
Cila është origjina e grupit?
Hamasi, një akronim për Harakat al-Muqawama al-Islamiya (Lëvizja e Rezistencës Islame), u themelua nga Sheikh Ahmed Yassin, një klerik palestinez, i cili u bë një aktivist në degët lokale të Vëllazërisë Myslimane pasi ia kushtoi jetën e tij të hershme studimeve islame në Kajro. Duke filluar nga fundi i viteve 1960, Yassin predikoi dhe kryente punë bamirësie në Bregun Perëndimor dhe Gaza, të cilat Izraeli i pushtoi pas Luftës Gjashtë Ditore të vitit 1967.
Yassin themeloi Hamasin si krahun politik të Vëllazërisë në Gaza në dhjetor 1987, pas shpërthimit të intifadës së parë, një kryengritje palestineze kundër pushtimit izraelit të Bregut Perëndimor, Gazës dhe Jerusalemit Lindor. Në atë kohë, qëllimi i Hamasit ishte të kundërshtonte Xhihadin Islamik Palestinez (PIJ), një organizatë tjetër, angazhimi i së cilës për t’i rezistuar dhunshëm Izraelit kërcënonte të tërhiqte mbështetjen e palestinezëve nga Vëllazëria. Në vitin 1988, Hamasi publikoi statutin e tij, duke bërë thirrje për shkatërrimin e Izraelit dhe krijimin e një shoqërie islame në Palestinën historike. Në atë që analistë e quajtën një përpjekje për të moderuar imazhin e saj, Hamasi paraqiti një dokument të ri në 2017-të, që pranoi një shtet të përkohshëm palestinez përgjatë kufirit të “Vijës së Gjelbër” të krijuar përpara Luftës Gjashtë Ditore, por që refuzonte sërish të njihte Izraelin.
Hamasi përdori për herë të parë sulm vetëvrasës në prill 1993, pesë muaj përpara se udhëheqësi i PLO-së, Yasser Arafat dhe kryeministri izraelit Yitzhak Rabin të nënshkruanin Marrëveshjen e Oslos. Pakti historik krijoi një vetëqeverisje të kufizuar për pjesë të Bregut Perëndimor dhe Gazës nën një entitet të sapokrijuar të quajtur Autoriteti Palestinez (PA). Hamasi dënoi marrëveshjen, si dhe njohjen e njëri-tjetrit nga PLO dhe Izraeli, për të cilin Arafat dhe Rabin ranë dakord zyrtarisht në letrat e dërguara disa ditë përpara Oslos.
Në vitin 1997, Shtetet e Bashkuara e cilësuan Hamasin një organizatë të huaj terroriste. Lëvizja vazhdoi të kryesonte rezistencën e dhunshme gjatë intifadës së dytë (*lufta e palestinezëve kundër pushtuesve quhet intifadë), në fillim të viteve 2000, megjithëse PIJ dhe milicia Tanzim e Fatahut ishin gjithashtu përgjegjës për dhunën kundër izraelitëve.
Kush janë drejtuesit e saj?
Hamasi ka një mori organesh udhëheqëse që kryejnë funksione të ndryshme politike, ushtarake dhe sociale. Politika e përgjithshme përcaktohet nga një organ gjithëpërfshirës konsultativ, i quajtur shpesh ‘byroja politike’, e cila vepron në mërgim. Komitetet lokale menaxhojnë çështjet bazë në Gaza dhe Bregun Perëndimor.
Ismail Haniyeh aktualisht shërben si shef politik, duke zëvendësuar liderin e gjatë Khaled Meshaal në vitin 2017-të. Haniyeh operon nga Doha, Katar, që nga viti 2020. Thuhet se Egjipti e kufizon lëvizjen e tij brenda dhe jashtë Gazës. Udhëheqësit e Hamasit u vendosën në Katar pasi u grindën me Sirinë, kur refugjatët palestinezë morën pjesë në kryengritjen e vitit 2011, që i parapriu Luftës Civile Siriane. Ndërkohë disa figura të larta të Hamasit thuhet se veprojnë në Turqi.
Çështjet e përditshme në Gaza mbikëqyren nga Yahya Sinwar, i cili më parë drejtoi krahun ushtarak të Hamasit dhe shërbeu 22 vjet nga një burg izraelit për organizimin e rrëmbimit dhe vrasjes së dy ushtarëve izraelitë. Ai ishte një ndër, më shumë se një mijë të burgosurit palestinezë të liruar në vitin 2011 në këmbim të një ushtari izraelit të mbajtur nga Hamasi. Që nga qershori 2021, kryeministri “de fakto” i Gazës është Issam al-Da’alis.
Marwan Issa dhe Mohammed Deif komandojnë krahun ushtarak të Hamasit që njihen si, Brigadat Izz ad-Din al-Qassam. Forcat izraelite vranë themeluesin e milicisë, Salah Shehadeh, në një sulm ajror në vitin 2002. Pesëmbëdhjetë civilë u vranë në sulm. Forcat izraelite vranë dhe Yassin, themeluesin e Hamasit, në vitin 2004.
Saleh al-Arouri thuhet se kryeson degën e Hamasit në Liban. Ai gjithashtu mori drejtimin e grupit në Bregun Perëndimor pas zgjedhjeve të brendshme që përfunduan në vitin 2021, ndërsa Meshaal u zgjodh për të udhëhequr zyrën e diasporës dhe Salameh Katawi u zgjodh për të menaxhuar punët e anëtarëve të burgosur të Hamasit.
Si financohet Hamasi?
Si një entitet terrorist, Hamasit i është ndërprerë ndihma zyrtare që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian (BE) i ofrojnë PLO në Bregun Perëndimor. Historikisht, emigrantët palestinezë dhe donatorët privatë në Gjirin Persik siguruan pjesën më të madhe të financimit të lëvizjes. Përveç kësaj, disa organizata bamirëse islamike në Perëndim kanë kanalizuar para për grupet e shërbimeve sociale të mbështetura nga Hamasi, duke nxitur ngrirjen e aseteve nga Thesari i SHBA-së.
Gjendja ekonomike e Gazës është e rëndë. Egjipti dhe Izraeli mbyllën kryesisht kufijtë e tyre me të në 2006-2007, duke kufizuar lëvizjen e mallrave dhe njerëzve brenda dhe jashtë territorit. Të dy vendet mbajnë një bllokadë, duke shkëputur territorin nga pjesa më e madhe e botës dhe duke detyruar më shumë se një milion palestinezë të Gazës të mbështeten në ndihmën ndërkombëtare. Izraeli lejon Katarin të sigurojë qindra miliona dollarë ndihmë përmes Hamasit. Ndihma të tjera të huaja në përgjithësi arrijnë në Gaza nëpërmjet agjencive të AP dhe OKB-së. Për vite pas fillimit të bllokadës, Hamasi mblidhte të ardhura duke taksuar mallrat që lëviznin përmes një rrjeti të sofistikuar tunelesh që shmangnin kalimin egjiptian në Gaza. Pasi presidenti egjiptian Abdel Fatah al-Sisi mori pushtetin në vitin 2013, Kajro u bë armiqësore ndaj Hamasit, ushtria egjiptiane mbylli shumicën e tuneleve që depërtonin territorin e saj ndërsa zhvilloi një fushatë antiterrorizmit kundër një dege të Shtetit Islamik të vetëshpallur në anën e saj të kufirit, në Gadishullin Sinai. Egjipti filloi të lejojë disa mallra komerciale të hyjnë në Gaza përmes kalimit të tij kufitar Salah al-Din në vitin 2018. Që nga viti 2021, janë mbledhur mbi 12 milionë dollarë në muaj nga taksat mbi mallrat egjiptiane të importuara në Gaza.
Sot, Irani është një nga financuesit më të mëdhenj të Hamasit, duke kontribuar me fonde, armë dhe trajnime. Irani aktualisht ofron rreth 100 milionë dollarë në vit për Hamasin, PIJ-në dhe grupet e tjera palestineze të përcaktuara si organizata terroriste nga Shtetet e Bashkuara. Turqia ka qenë një tjetër mbështetëse e fortë e Hamasit, dhe një kritike e Izraelit, pas ardhjes në pushtet të Presidentit Rexhep Tajip Erdogan në vitin 2002. Megjithëse Ankaraja këmbëngul se e mbështet Hamasin vetëm politikisht edhe pse ajo është akuzuar për financimin e terrorizmit të Hamasit, duke përfshirë ndihmën e devijuar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim.
Burimi: Council Foreign
Top Channel