Shpërthime dhe shtëllunga të zeza tymi janë vënë re në rajonin e diskutueshëm midis Izraelit dhe Libanit këtë të hënë, pas dhjetëra sulmeve ajrore të ndërmarra nga forcat izraelite.
Imazhet e drejtpërdrejta të transmetuara nga disa kanale libaneze tregojnë helikopterët izraelitë që fluturojnë mbi rajonin kufitar, duke lënë në tokë tym të zi. Pjesa më e madhe e tymit shihet në zonat e papopulluara, por jo shumë larg fshatrave.
Agjencia Kombëtare Libaneze e Lajmeve raportoi se bombardimet goditën një shtëpi të zbrazët.
Disa misione të huaja në Liban, duke përfshirë ato nga Gjermania, SHBA dhe Britania e Madhe, përditësuan informacionet e tyre të udhëtimit për qytetarët në Liban, duke i nxitur ata që të tregojnë kujdes.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë në një deklaratë të shkurtër të hënën se helikopterët izraelit po sulmonin në territorin libanez pasi një “numër të dyshuarish të armatosur” që u “infiltruan” në Izrael nga Libani u vranë. Libani kufizohet me Izraelin në veri.
Ushtria libaneze u bëri thirrje qytetarëve që të shmangin zonat përgjatë kufirit jugor mes sulmeve ajrore dhe artilerie izraelite.
“Periferia e qyteteve al-Dhaira dhe Aita Al-Shaab dhe zona të tjera kufitare po i nënshtrohen bombardimeve ajrore dhe artilerie nga armiku izraelit. Komanda e Ushtrisë u bën thirrje qytetarëve që të marrin masat dhe kujdesin maksimal dhe të mos shkojnë në zonat ngjitur me kufirin për të ruajtur sigurinë e tyre”, thuhet në një deklaratë të Ushtrisë Libaneze.
Top Channel