Shpërthen lufta në Izrael/ Të paktën 40 izraelitë të vdekur! Netanyahu: Jemi në luftë! Urdhërova mobilizimin e gjerë të rezervistëve

07/10/2023 15:40

Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu tha se vendi është “në luftë” pas sulmit të befasishëm nga Hamasi të shtunën herët në mëngjes.

“Qytetarë të Izraelit, ne jemi në luftë, jo në një operacion apo në raunde, por në luftë. Këtë mëngjes, Hamasi filloi një sulm të papritur vrastar kundër shtetit të Izraelit dhe qytetarëve të tij.  Unë mblodha krerët e institucionit të sigurisë dhe urdhërova, para së gjithash, që të pastrohen komunitetet që janë infiltruar nga terroristët. Kjo aktualisht po kryhet. Në të njëjtën kohë, kam urdhëruar një mobilizim të gjerë të rezervistëve dhe që ta kthejmë zjarrin në një plan përmasash që armiku nuk e ka ditur. Armiku do të paguajë një çmim të paprecedentë. Ndërkohë, u bëj thirrje qytetarëve të Izraelit që t’u përmbahen rreptësisht direktivave të IDF dhe Komandës së Frontit të Brendshëm. Jemi në luftë dhe ne do ta fitojmë”, tha ai.

Të paktën 40 persona janë vrarë në sulmin e papritur të nisur nga grupi militant Hamas të shtunën në mëngjes, sipas shërbimit të shpëtimit të Izraelit Magen David Adom. MDA tha se janë raportuar më shumë se 250 të plagosur përfshirë edhe 22 personat që vdiqën.

Sulmi i Hamasit ndaj Izraelit ka vazhduar për rreth pesë orë, me sirenat që vazhdojnë të bien deri në veri deri në Tel Aviv dhe Jerusalem. Sirenat nisën herët në mëngjes, pasi raketat u lëshuan nga Gaza.

Sulme nga toka, deti dhe ajri/ Militantët nga Hamasi hynë në Izrael përmes Gazës

Militantët nga Hamasi hynë në Izrael nga Gaza nga toka, nga deti dhe nga ajri, tha zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), zëdhënësi i DF, nënkoloneli Richard Hecht në një konferencë të shtunën. Hecht tha se luftimet në terren po zhvillohen në vendet: Kalimi Erez, Nahal Oz, Magen, Kibbutz Beeri, Baza e Ushtrisë Rehim, Baza e ushtrisë Ziikim dhe Kfar Azz.

Banorët e Izraelit të tmerruar, militantët po hyjnë në shtëpitë e tyre

Hamasi njoftoi se po mban peng disa izraelitë, ndërsa banorë të dy komuniteteve kufitare izraelite thonë se militantët po përpiqen të hyjnë në shtëpitë e tyre. Organizata tjetër radikal-islamike e milicëve palestinezë, Xhihadi Islamik deklaroi, se luftëtarët e saj i janë bashkuar Hamasit. 21 fronte aktive janë identifikuar deri sipas forcave izraelite të rendit, ndërsa sulmi në Gaza e përreth saj po përshkruhet si “mjaft kompleks”. Një numër i madh izraelitësh janë mbledhur në spitalet e Tel Avivit për të dhuruar gjak. Hamasi tha se ka kapur ushtarë izraelitë pranë kufirit të Gazës gjatë sulmit të befasishëm të së shtunës në mëngjes.

Nga ana tjetër Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë nisur operacionin “Shpatat e Hekurta” kundër Hamasit pas sulmit të befasishëm të grupit militant. Komandanti ushtarak i Hamasit, Muhammad Al-Deif tha më herët të shtunën se grupi po fillonte një operacion të quajtur “Stuhia Al-Aqsa” duke synuar “pozicionet e armikut, aeroportet dhe pozicionet ushtarake”. Militantët nga Hamasi hynë në Izrael nga Gaza nga toka, nga deti dhe nga ajri.

Presidenti izraelit, Isaac Herzog thotë se Izraeli “po përballet me një moment shumë të vështirë”, por ai mund të “kapërcejë të gjithë ata që na dëshirojnë të keqen”.

Në një deklaratë në X ai shkroi: Shteti i Izraelit po përballet me një moment shumë të vështirë. Dëshiroj t’u ofroj forcë komandantëve dhe ushtarëve të IDF (Forcave të Mbrojtjes së Izraelit) dhe të gjitha forcave të sigurisë dhe shërbimeve të shpëtimit. Unë dërgoj inkurajimin dhe forcën time për të gjithë banorët e Izraelit që janë nën sulm.

Ai u bëri thirrje të gjithëve që të ndjekin udhëzimet nga Komanda e Frontit të Brendshëm dhe të tregojnë përgjegjësi dhe vendosmëri reciproke.

Grupi militant libanez Hezbollah vlerësoi sulmin në mëngjes nga grupi militant Hamas kundër Izraelit në një deklaratë të postuar në TV Al Manar, sipas CNN.

Sipas deklaratës, Hezbollahu është në kontakt të drejtpërdrejtë me udhëheqjen e Hamasit. Hezbollahu është një grup militant dhe politik shiit libanez që ka luftuar në disa konflikte me Izraelin. Grupi ka lidhje të forta edhe me Iranin.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thotë se sipas të dhënave deri më tani nuk ka asnjë shtetas shqiptar të lënduar nga këto sulme.

Të gjithë qytetarët shqiptarë në Izrael, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale dhe të kontaktojnë për çdo rast me Ambasadën Shqiptare  në Izrael në numrin e kontaktit: +972 54-4806601.

Ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani dënon ashpër sulmin nga Hamasi në Izrael.

“Shqipëria dënon ashpër sulmin e mëngjesit të sotëm nga Hamasi kundër Izraelit. Ne qëndrojmë të vendosur kundër terrorizmit. Mendimet tona janë me viktimat, familjet e tyre dhe gjithë Izraelin”, shkruan ai në platformën X.

FOTO GALERI
10/15

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA