Përplasjet me ushtrinë izraelite kanë vijuar sot edhe gjatë funeralit të një palestinezi të vrarë në qytetin e pushtuar të Huwara, në veri të Bregut Perëndimor.
Qyteza kohët e fundit është bërë një pikë e nxehtë përplasjesh pas disa sulmeve dhe hakmarrjeve si nga palestinezët dhe kolonët izraelitë të mbrojtur nga ushtria.
Në incidentin e fundit, ministria palestineze e shëndetësisë tha se 19-vjeçari Labib Dmidi “ishte qëlluar për vdekje nga banorë të kolonive izraelite”.
Vrasja ndodhi prej provokimeve të qëllimshme të kolonëve ndaj banorëve palestinezë.
Pas vrasjes së të riut palestinez mbrëmë vonë, nëntë të tjerë mbetën të plagosur gjatë funeralit në përplasjet me ushtrisë.
Kryebashkiaku Moin Dmidi tha për rrjetin AFP se i riu palestinez kishte tentuar të strehohej në çatinë e shtëpisë së tij pasi po sulmohej nga kolonët izraelitë, kur një prej tyre e qëlloi për vdekje.
Një tjetër rezident, Abderrahman Dmidi, tha se sulmi kishte ndodhur kur banorët e kolonive të reja izraelite kishin hyrë në Huwara gjatë natës.
“Më shumë se 200 kolonë izraelitë u mblodhën në Huwara pas mesnatës, duke provokuar, duke bërtitur e duke kërcyer, disa me fytyra të mbuluara. Ata qëllonin shtëpitë me gurë,” tha ai për rrjetin AFP.
“Të rinjtë palestinezë gjithashtu përpiqeshin të mbronin shtëpitë duke qëlluar me gurë,” shtoi Dmidi.
Ushtria izraelite tha se kishte marrë raportime për “vandalizëm ndaj shtëpive të palestinezëve nga qytetarë izraelitë”.
Sot në funeralin e të riut një fotograf i rrjetit AFP dokumentonte përplasjet mes palestinezëve dhe trupave të ushtrisë izraelite të shoqëruar nga disa autoblinda.
Top Channel