Veliaj me kryebashkiakun e Bolonjës: Bashkëpunim në arsim, turizëm dhe transport urban

05/10/2023 15:03

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim homologun e tij, kryetarin e Bashkisë së Bolonjës, Matteo Lepore, me të cilin bisedoi rreth shkëmbimit të eksperiencave mes dy qyteteve.

“Bolonja është një shtëpi e dytë për shumë shqiptarë. Më vjen mirë që, edhe kryetari i grupit të këshilltarëve të Bolonjës, Ditjoni, është shqiptar. Jemi në fazën ku shqiptarët janë integruar, dhe qytete si Bolonja, jo vetëm na presin me derë të hapur, por edhe me mendje e zemër të hapur. I kanë bërë shqiptarët të ndihen në shtëpi, të prodhojnë histori suksesi, disa prej tyre janë punëmarrës, disa prej tyre sipërmarrës, disa të tjerë po angazhohen në politikë“, tha Veliaj.

Veliaj foli për shtimin e numrit të fluturimeve direkte, jo vetëm me Bolonjën, por me rreth 50 qytete të ndryshme të Italisë, kjo për shkak të fluksit të turistëve italianë drejt Shqipërisë dhe Tiranës.

 “Shtimi i linjave “low cost” do ta bëjnë më të thjeshtë komunikimin mes nesh. Në vend që të na ndajë Adriatiku, është një det që na bashkon. Italia është shumë e rëndësishme për ne. 35% e bilancit tonë ekonomik janë shkëmbimet tregtare me Italinë. Është një histori e jashtëzakonshme suksesi. Por, duam që ashtu siç është në nivel shteti, të jetë edhe në nivel të dy qyteteve tona”.

Kryetari i Bashkisë së Bolonjës, Matteo Lepore tha se qyteti i tij është i interesuar të bashkëpunojë me Tiranën në fushën e arsimit, turizmit dhe transportit urban.

“Tirana dhe Bolonja janë dy qytete të reja, me rëndësi për Europën dhe Mesdheun. Kemi vendosur të punojmë së bashku për çështje të ndryshme. Në Bolonjë gjendet Universiteti më i vjetër i Perëndimit dhe ka mirëpritur shumë të rinj shqiptarë. Nisur nga ky fakt, duam të shpalosim të gjithë energjinë që kemi, sa i përket kulturës, sipërmarrjes, nismave për gjelbërimin. Duam të punojmë së bashku për transportin publik, të drejtën për strehim, për promovimin e një turizmi të qëndrueshëm. Pra, mendojmë që Bolonja dhe Tirana mund të kontribuojnë shumë në këto aspekte”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA