Orkestra e Harqeve të Durrësit u shpall orkestra më e mirë në edicionin VIII të Takimit Kombëtar të Muzikës së Dhomës dhe Orkestrave të Harqeve që u zhvillua këtë javë në Elbasan.
Në këtë takim, orkestra “Aleksandër Moisiu” korri sukses me simfoninë për orkestër harqesh të kompozitorit Shostakovich, duke u vlerësuar me çmimin e parë nga një juri profesioniste, për nivelin e lartë artistik të interpretimit dhe ndjeshmërisë që përcolli te publiku. Por ky nuk ishte çmimi i vetëm në këtë edicion.
“Krahas çmimit të parë që mori orkestra, e veçantë ishte që orkestra jonë grumbulloi të dy çmimet e para. Edhe çmimin e parë si solistja më e mirë për violinisten e talentuar Laura Llozi dhe bashkëpunimi me ne. Vlerësimi i saj nga juria profesioniste është një akt shumë kuptimplotë për vlerat e saj. Ajo është ende studente në universitetin e Vjenës”, Petrika Afezolli, Dirigjent i Orkestrës së Harqeve Durrës.
Idealizmi dhe dashuria për artin e profesionin, ndonëse me pagesa minimaliste, e mban gjallë jetën artistike në Durrës. Në mbi katër dekada jetë, orkestra e harqeve të Durrësit është vlerësuar vazhdimisht për profesionalizmin, por as ajo nuk ka shpëtuar nga hemorragjia e artistëve të cilët në periudha të ndryshme, shpesh të pavlerësuar financiarisht, janë detyruar që jetën e tyre ta ndërtojnë larg atdheut.
“Që nga themelimi në vitin ’80 ka pasur situata që jemi lënë dhe pa pagesë, por me frymë dhe idealizëm e kemi mbajt këtë orkestër. Më shumë kemi qenë të përfillur se të vlerësuar dhe pse është një trupë e mirëfilltë profesioniste. Shumë instrumentistë të mirë u larguan me ndryshimin e sistemeve. Pjesa e pagesës ka qenë jo gjithnjë e duhura. Nuk bëhet fjalë thjesht për shpërblim ekonomik, po për respektin profesional dhe kostot e mëdha që detyrohemi t’i përballojmë nga xhepi. Petrika ka sjellë një frymë të re”, tha Osman Kuriçi, violinçelist, një nga themeluesit e orkestrës.
Dirigjenti Petrika Afezolli tregon se ambiciet e kësaj orkestre që çdo vit vjen me 3-4 premiera para publikut janë të mëdha. Ajo synon të kthehet në një orkestër simfonike, po për ta realizuar këtë duhet vëmendje dhe mbështetje. Hyrja në fuqi e ligjit për artin e kulturën ka ngjallur shpresë te artistët durrsake në raport me vlerësimin e tyre nga institucionet vendore prej të cilave varen.
“Institucionet po formalizojnë shumë element që ligji kërkon dhe ndjeshmëritë në shumë bashki janë rritur dhe ka ristrukturim. Edhe në Durrës duket një klimë pozitiviste dhe në këtë kontekst do të donim që të ishin më të shpejtë në nisma që Durrësit i vlejnë. Ka ardh koha që të vendosin. Kultura që përfaqëson Durrësi është një detyrim sa qytetar aq dhe institucional”, tha Petrika Afezolli, Dirigjent i Orkestrës.
“Po presim miratimin e kontratave dhe rregullores që do të qartësojë marrëdhënien e individit, instrumentistit dhe të gjithë orkestrës me institucionin, po dhe me bashkinë. Me realizimin e këtyre në mënyrë progressive do të vijë dhe pjesa honorare që besojmë do të ketë një rritje dhe me kohën do të shkojë aty ku duhet”, Olta Juba, Qendra Kulturore “A.Moisiu” Durrës.
Top Channel