Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu, bojkotit të studentëve të mjekësisë kundër ligjit të sapomiratuar, që u kërkon punësim të detyruar deri në 5 vjet pas përfundimit të studimeve për t’u diplomuar, i është përgjigjur duke argumentuar se qeveria nuk po u cënon të drejtat.
Për “Top Story”, Manastirliu tha se krahas punësimit të garantuar në sistemin shëndetësor, ligji u ofron studentëve edhe disa facilitete të tjera si strehim me kushte preferenciale apo kredi të butë me interes zero.
Por sa funksional është ligji në ndalimin e shpopullimit të mjekëve, dhe pse të “penalizohen” pikërisht studentët e paspecializuar kur më urgjente është trajtimi i largimit të mjekëve të specializuar 33-34-vjeçar?
E ndalur në këtë pikë, ministrja nënkuptoi se përballë një fenomeni të pashtershëm të lëvizjes së forcës punëtore në botë, para pse-së për atë që ka ndodhur, është më emergjente trajtimi me seriozitetin e duhur i emergjencës për t’i bërë ballë lëvizshmërisë së profesionistëve; dhe specializimin e trajnimin e gjeneratës së re të mjekëve shqiptar, “pa iu cenuar asnjë e drejtë e fëmijëve tanë”.
Në këtë luftë të madhe për burime njerëzore, “çdo qeveri e përgjegjshme ndërmerr masa dhe politika në mënyrë që e nesërmja e popullit të saj të jetë e sigurt, aq më tepër kur ne flasim për shëndetin”, tha Manastirliu. Dhe kuadri i ri ligjor, sipas ministres, shërben sa për trajtimin e sfidave me të cilat përballet vendi – sfida demografike, lëvizshmëria e profesionistëve, moshimi – aq edhe për t’u ofruar përfitime mjekëve – punësim të sigurt, kredi për strehim, instrumente këto të ardhura në një moment kur ekziston një reformë për rritjen e pagave të bluzave të bardha.
Pjesë nga diskutimi:
Duma: Situata është e pazgjidhshme, pse me detyrim dhe jo me incentivë? Pse nuk duhet të marrin diplomën? Pse duhet të kushtëzohen? Pse duhet të paguajnë?
Manastirliu: Aty u shpjeguan gjerësisht arsyet e ndërmarrjes së një iniciative që është përkthyer në një iniciativë ligjore. Unë besoj që të gjithë biem dakord që çdo qeveri duhet t’iu garantojë të drejtat kushtetuese qytetarëve dhe të mendojë për interesin më të lartë të qytetarëve që është pikërisht kujdesi dhe shërbimi shëndetësor. Por duhet të garantoj sigurisht edhe të drejtën për arsim.
Ligji trajton në mënyrë mbështetëse dhe krijon një mjedis mundësues për mjekët e rinj nesër, dhe studentët e sotëm të mjekësisë. Është një ligj që garanton punësimin e tyre, është një ligj që jep mundësi për të patur strehim me kushte preferenciale, me kredi të butë me interes zero. Pra është një ligj që për më së shumti mundëson që studentët menjëherë sapo përfundojnë shkollën t’u garantohet punësimi për një periudhë të shkurtër kohe dhe kanë të drejtën që edhe të mund të specializohen, pra të kryejnë proceset e specializimit duke u bërë mjek kardiolog, mjek endokrinolog, mjek kirurg. Studentëve nuk ju cënohet e drejta e tyre për arsimim, ashtu sikurse u jepet mundësia të punojnë në sistemin shëndetësor për një periudhë vitesh sikurse është parashikuar në ligj.
Duma: Ne e zgjedhim se ku punojmë në treg, me pagën që zgjedhim ne sipas tregut të lirë, dhe juve si vendimmarrës – thonë ata – nuk keni zgjidhur asgjë sa i përket shpopullimit të mjekëve sepse nuk ikin mjekët 24-vjeçar, ikin mjekët 33 apo 34-vjeç, dhe këto shifra janë edhe në statistika.
Dhe nuk është frikë që po të ikën një mjek i paspecializuar sesa është frikë dhe duhet të jetë prioritet që po të ikën një fashë e specializuar e mjekëve. Pse ne që dalim nga bankat e shkollave, dhe pse na thoni që është ofertë, kur unë mund të punojë ku të dua dhe ti më thua “puno këtu dhe me këtë pagë”? Pse më detyron?
Manastirliu: Kur e kemi ndërtuar këtë ligj kemi bërë një analizë shumë të thellë, jemi menduar gjatë dhe jemi konsultuar edhe me praktikat e vendeve evropiane, kemi ndërtuar projeksione dhe skenarë në mënyrë që ne të mendojmë jo vetëm për sot, por edhe për të nesërmen. Unë besoj që çdo qeveri e përgjegjshme ndërmerr masa dhe politika në mënyrë që e nesërmja e popullit të saj të jetë e sigurt, aq më tepër kur ne flasim për shëndetin. Në projeksionet që ne kemi bërë, përpos faktit që numri i mjekëve në 1000 banorë është rritur falë përpjekjeve që kemi bërë së bashku me universitetin që më shumë specializantë të dalin këto vite, pasi kemi vuajtur për vite me radhë nga mungesa e specialistëve, janë hapur rreth 2000 specializime. Janë punësuar në sistemin tonë shëndetësor mbi 1200 mjekë, 500 nga të cilët janë specialist që punojnë në rrethe. Dhe patjetër që duhet të marrim masa në këtë luftë të madhe për burime njerëzore që sot ka gjithë bota, ku edhe Gjermania po vuan, ndaj është duke tërhequr burimet njerëzore nga vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe sigurisht Shqipëria.
Ne duhet të mendojmë se si të plotësojmë nevojën tonë duke garantuar që të mos cënohet asnjë e drejtë e fëmijëve tanë. Dhe patjetër që ky instrument ligjor, i cili vjen në momente kur bota është në sfida të njëjta me vendin tonë, sfida demografike, lëvizshmëria e profesionistëve, moshimi është një sfidë më vete.
Top Channel