“Tempulli”/ Arrestohet një i mitur dhe një 18-vjeçar në Fier, shpërndanin drogë pranë gjimnazit

04/10/2023 08:55

Dy shpërndarës të tjerë droge janë kapur në Fier në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”.

Në pranga ra një 15 vjeçar, i proceduar disa herë më parë, në gjendje të lirë, për shkak të moshës, për të njëjtën veprimtari kriminale, si dhe 18-vjeçari J.H.

Ata u kapën në flagrance me disa doza cannabisi, gjatë tentativës për t’i shitur ato, në afërsi të një gjimnazi në qytetin e Fierit.

Gjatë kontrollit në banesat e tyre, Policia gjeti dhe sekuestroi 3 qese me lëndë narkotike cannabis sativa (në formë boçeje) me peshë 830 gramë. Ata e kishin përgatitur dhe ndarë lëndën narkotike, në doza, me qëllim shitjen e saj, në afërsi të shkollave.

Qeset me cannabis dhe dozat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Policia thotë se nga verifikimet rezultoi se 15-vjeçari është përdorur më parë për të kryer këtë veprimtari kriminale, nga shtetasi E. M., 26 vjeç, banues në Fier, i arrestuar më datë 19.08.2023, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Top Channel