Emisioni Fiks Fare rikthen përsëri problematikën e fëmijëve të fshatit Funarë.

Para dy vitesh emisioni Fiks Fare tregoi se fëmijët e këtij fshati mësonin në ambiente lokalesh dhe në shtëpi të braktisura, kjo pasi shkolla 9-vjeçare e këtij fshati është dëmtuar nga lëkundjet e tërmetit të vitit 2019.

Rreth 100 fëmijë procesin mësimor e zhvillojnë në 5 ambiente të ndryshme në fshat. Grupmosha e fëmijëve varion që nga kopështi e deri në klasën e 9-të. Dy klasa i gjejnë në një shtëpi të braktisur , një klasë është e ndërtuar në një ish lokal, ndërsa dy klasa të tjera në katin e parë të një shtëpie.

Ndërkohë edhe kopështi është i ndërtuar në një ambient lokali. Fëmijët për të shkuar në tualet duhet të dilnin në ambient tjetër, ku luhej bilardo e më pas të kryenin nevojat e tyre personale.

Gazetarët e Fiksit u interesuan përsëri për problematikën e këtyre fëmijëve dhe zbuluan se shkolla e këtij fshati nuk është rikonstruktuar dhe se prej 4 vitesh këta fëmijë vazhdojnë mësimin në lokale dhe shtëpi të braktisura.

Klasa e tetë dhe e nëntë ndodhet në një shtëpi të braktisur, ku muret e saj janë të dëmtuar dhe tavani i rënë, gjë që rrezikon dhe jetën e këtyre nxënësve.

Një prind pohon për Fiksin se fëmijës së tij i ka ndërprërë mësimin, pasi kushtet në të cilat ai zhvillohet nuk janë fare të përshtatshme. Ai pas katër vitesh kërkon një shkollë si dhe të gjithë prindërit e tjerë. Edhe pse në fakt këtyre prindërve iu është premtuar nga pushteti lokal se do u ndërtohej shkolla, por edhe pse kanë kaluar 4 vite në ndërtesën ekzistuese ende nuk ka filluar asnjë punim.

Edhe vetë nxënësit u ankuan për kushtet ku kryenin mësim, por ajo që nxorën në pah është vështirësitë që do të kenë me ardhjen e stinës së dimrit ku temperaturat do ulen. ” Do kemi ftohtë në dimër pasi siç e shihni shikoni si është këtu” shprehet njëri prej nxënësve që mësimin e kryen në një banesë të braktisur.

Pra për gazetarët e Fiksit situata ishte po e njëjtë ashtu siç e kishin lenë para dy vitesh.

Fiksi telefonoi Kryetarin e Bashkisë së Librazhdit, Mariglen Dishën, i cili tha se nga ana e tij po merreshin të gjitha masat për rikonstruksionin e shkollës së vjetër dhe që së shpejti do të fillojnë punimet. Punimet do të zgjasin rreth dy muaj pohon kryetari bashkisë duke shpresuar se viti tjetër këta nxënës do t’i gjejë me shkollën e rikonstruaktuar.

FOTO GALERI
6/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA