Qeveria ka nisur një tjetër përpjekje në lehtësimin dhe përmirësimin e klimës së biznesit.
Kryeministri Edi Rama në funksion të këtyre përmirësimeve u angazhua në përdorimin e Inteligjencës Artificiale. Nuk i kurseu kritikat për sektorin e turizmit ku tha se “Tjetër janë çmimet që deklarohen dhe tjetër janë çmimet që paguhen”.
“Kemi nisur edhe një punë shumë inovative me mbështetjen dhe asistencën direkte të Microsoft-it për inteligjencën artificiale që do të na lehtësoje besojmë ne procese të caktuara duke filluar që nga procesi i prokurimeve publike për të cilin kemi një projekt shumë ambicioz që do të kërkoje kohën e vet, por ne jemi besimplotë që brenda këtij mandati, do të kemi një sistem komplet të revolucionarizuar të prokurimeve publike, me shumë më tepër komponentë teknologjikë dhe me shumë më pak komponentë njerëzorë në mënyrë që prokurimet të jenë sa më transparente dhe sa më të drejta në të gjitha nivelet.”- tha Rama.
Kryeministri kërkoi dhënien fund të kulturës të evazionit fiskal nga ndërtuesit e pallateve.
“Epo që ju të shisni apartamente me 2000, 3000, 4000, 5000, 6000, të shisni hapësira biznesi me 7000 apo 8000 euro dhe të deklaroni atje çmime që janë larg të vërtetës, kjo nuk mund të vazhdojë dhe çmimet e referencës nuk janë vënë në mënyrë arbitrare, janë vënë mbi bazën e tregut.”
Duhet të marrin fund tha kryeministri marifetet e ndërtuese me 3% e detyruar të japin për strehim social.
“Ju duhet t’i jepni ato 3% aty ku ndërtoni, jo ndërto ti këtu dhe ma jep 3% në fund të botës se disa njerëz do jetojnë në qendër dhe janë ca të tjerë që do rrinë në fund të botës që të kenë afër delet. Kjo nuk është e drejtë dhe ne do ta shikojmë këtë që 3% të jepet aty ku ju ndërtoni, aq sa i takon njerëzve në Tiranë të cilët duhet të përfitojnë nga ato programe.”
Gjatë muajve të verës kryeministri Rama ishte një zë promovues e lavdërues si po shkonte sezoni turistik. Sot ishte dita kritikave për këtë sektor pasi sipas tij “të ardhurat e deklaruara, nuk korrespondojnë”.
“Hotelet duhet të përgatiten që vitin e ardhshëm do kenë referencë, patjetër. Gjithë hotelet do kenë një çmim reference. Unë dua kaq, pastaj të tjerat merri, t’i gëzosh, po kaq ti do t’ia japësh shtetit, se nuk ka mundësi. Ne nuk e pranojmë që t’iu marrim juve TVSH-në 6% për këtë shifër që na jepni ju. Ne do tua marrim TVSH-në 6% për këtë shifër që e thotë tregu”.
Top Channel