Kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim me sipërmarrjen për një rishikim tërësor të procedurave administrative të biznesit dhe shkurtim të hallkave burokratike dhe përmirësim të mëtejshëm të klimës së biznesit.
Rama tha se brenda këtij mandati, do të kemi një sistem te revolucionarizuar të prokurimeve publike, me ndihmën e Inteligjencës Artificiale. Kreu i qeverisë tha se, për dhënien e prokurimeve publike do të ketë shumë më tepër komponentë teknologjikë dhe më pak njerëzor me qëllim që të jenë sa më transparente.
“Besoj që ju të gjithë e keni parë që përpara pak ditësh Shqipëria mori një vlerësim të ri të perspektivës nga ana e agjencisë prestigjioze Standart & Poors që bën vlerësimin e të gjitha vendeve dhe përcakton nivelin e tyre në aspektin e ecurisë dhe të perspektivës ekonomike dhe për herë të parë ne kemi kaluar nga perspektivë e qëndrueshme në perspektivë pozitive.
Dhe ky është një sinjal shumë kuptimplotë, shumë domethënës për çfarë kemi bërë deri më sot dhe shumë inkurajues për çfarë mund të bëjmë më tutje, por një nga elementet e rëndësishëm ku unë besoj që ka ardhur koha që ne të rifokusohemi bashkërisht është nga njëra anë, bërja e një analize të detajuar, çka ne e kemi nisur ta bëjmë brenda për brenda institucioneve dhe strukturave të qeverisë mbi të gjitha procedurat dhe e kemi nisur ta bëjmë, duke e parë me sy kritik çdo procedurë për të kuptuar se çfarë mund të lexohet nga pikëpamja e asaj që është e shkruar, por ky do të ishte një ushtrim i mangët nëse nuk marrim prej jush, bazuar në eksperiencën tuaj të përditshme, dhe bazuar në ndërveprimet tuaja me institucionet, këndvështrimin mbi si ato procedura që janë të shkruara në letër për të pasur një licencë për të pasur një leje, për të pasur një dokument të caktuar të veprimtarisë suaj, përkthehen në realitetin e përditshëm dhe cilat prej tyre faktikisht më shumë se sa ndihmojnë, interesin e shtetit, e pengojnë interesin e shtetit dhe klimën e biznesit, e rëndojnë klimën e biznesit. Ministrja e cila ka tagrin specifik për të punuar në mënyrë të fokusuar tek klima e biznesit, ju informoi se do t’i japim sipërmarrjeve një pyetësor, por përtej pyetësorit ne do të mirëprisnim çdo lloj sugjerimi nga ju bazuar në eksperiencën tuaj.
Heqja e barrierave dhe hapja e sa më shumë kanaleve të frymëmarrjes së organizmit të shoqërisë sot që lidh bashkë biznesin me shtetin si dy palë që duhet të ndërveprojnë me njëra-tjetrën në funksion të interesit privat dhe publik është një domosdoshmëri e vazhdueshme dhe unë besoj që është një proces që ka vend gjithmonë për përmirësim, por sot pikërisht në këtë fazë, duke pasur parasysh se tanimë janë bërë disa vite që është ecur përpara mbi bazën e një lehtësimi të bërë më parë, është koha për të riparë të gjithë proceset dhe për të bërë një lehtësim tjetër.
Ne po bëjmë punën tonë nga brenda institucioneve, por në fund të ditës kjo është një punë që bëhet për sipërmarrjen dhe për lehtësinë e të bërit biznes në Shqipëri, kështu që ju jeni edhe objekti edhe subjekti i kësaj pune dhe për këtë arsye kontributi juaj është jo vetëm i mirëseardhur, por është edhe i domosdoshëm, i pazëvendësueshëm. Në këtë proces ministrja do të bëjë paralelisht edhe takime specifikime me të gjithë sektorët dhe nënsektorët, edhe “intervista” të aktorëve të caktuar në çdo sektor për të marrë mbrapsht sa më shumë informacion dhe sa më shumë sugjerime praktike që vijnë nga realiteti i përditshëm i punës dhe që nuk dalin dot as nga çfarë lexojnë në letra dhe as nga analizat që mund t’i bëjmë letrave. Kjo është pak a shumë arsyeja e këtij takimi dhe ndërkohë ne po vazhdojmë punë edhe tani që jemi në fazën e diskutimit të buxhetit të vitit të ardhshëm dhe do të vendosim dhe më shumë fokus tek evolucioni digjital, duke rritur kapacitetet dhe duke shtuar shërbimet e reja, kemi nisur edhe një punë shumë inovative me mbështetjen dhe asistencën direkte të Microsoft-it për inteligjencën artificiale që do të na lehtësoje besojmë ne procese të caktuara duke filluar që nga procesi i prokurimeve publike për të cilin kemi një projekt shumë ambicioz që do të kërkoje kohën e vet, por ne jemi besimplotë që brenda këtij mandati, do të kemi një sistem komplet të revolucionarizuar të prokurimeve publike, me shumë më tepër komponentë teknologjikë dhe me shumë më pak komponentë njerëzorë në mënyrë që prokurimet të jenë sa më transparente dhe sa më të drejta në të gjitha nivelet.
Po ashtu kemi ecur përpara dhe besoj e keni ndjekur me ligjin, me projektet e krijimit të një shoqërie SH.A, shoqërie publike që do të bëjë të gjithë procesin e blerjeve të përqendruara, çka faktikisht deri më sot e bën Agjencia e Blerjeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kjo do të jetë një shoqëri publike që do të krijojë shumë më tepër akses dhe do të ketë shumë më tepër, detyrimisht, edhe transparencë, edhe llogaridhënie në raport me interesin publik dhe me interesin e të gjithë operatorëve.
Besoj që, sidoqoftë, me teknologji apo pa teknologji, kjo që po diskutojmë sot është themelore sepse në fund të ditës, çdo proces, qoftë njerëzor a qoftë teknologjik, do të bazohet tek kushtet, kriteret dhe orientimet e përcaktuara në dokumentacionin me të cilin biznesi duhet të operojë.
Pengesat administrative janë pjesë e problematikës së përditshme të një qeverie që do të bëjë sa më të lehtë punën për subjektet sipërmarrëse apo për qytetarët, pa diskutim, por janë edhe më shumë se kaq pjesë e shqetësimit, shpeshherë të panevojshëm të subjekteve në punën e tyre të përditshme.
Kështu që, unë dëshiroja tua thosha këto fjalë duke ju lutur ta merrni seriozisht këtë ushtrim dhe që ta jepni kontributin tuaj në mënyrë që ne të kemi sa më shumë bazë informacioni dhe të kemi sa më shumë sugjerime praktike, të cilat vijnë vetëm nga ata që janë në terren përditë për të bërë biznes dhe për të çuar përpara projektet e tyre sipërmarrëse.”-tha Rama në fjalën e tij.
Top Channel