Nuk zgjati shumë forcimi i lehtë i rublës ndaj dollarit amerikan, sepse valuta ruse ka marrë një tjetër goditje me një zhvlerësim të ri ndaj monedhës së gjelbër.
Këmbimi i një dollari amerikan me më shumë se 100 rubla në muajin gusht, e pati nxitur Bankën Qendrore të Rusisë që ta rriste normën e interesit në 13 për qind. Mëngjesin e sotëm, një dollar u këmbye me 99.41 rubla ruse, ndërsa një euro me 104.11 rubla.
Monedha ruse po përballet me luhatje të mëdha çdo fillim të muajit, pas humbjes së një periudhe të favorshme tatimore, që përcillej me konvertimin e të ardhurave të eksportuesve për kryerjen e detyrimeve financiare.
Aktualisht, rubla ruse ka mbërritur vlerën e saj më të ulët që nga javët e para të luftës në Ukrainë. Në këtë pikë, ndikimi i sanksioneve perëndimore mbi eksportet e energjisë po ndihet fort, teksa dobësohet kërkesa për monedhën kombëtare. Këshilltarët ekonomikë të presidentit Vladimir Putin nxituan të kritikojnë Bankën Qendrore për politika jo të duhura mbi gjendjen aktuale të rublës.
Rënia e eksporteve dhe ndryshimi i kahut të tregtisë botërore, janë disa prej shkaktarëve të dobësimit të valutës ruse. Zakonisht niveli më i madh i importit të mallrave krahasuar me eksportet e tyre ndikon negativisht në valutën e një vendi.
Top Channel