“Gërdeci”/ Mediu kërkoi të thirren si dëshmitarë personalitete të politikës e mbrojtjes, GJKKO rrëzon kërkesën

03/10/2023 15:44

Për Gërdecin, në Shqipëri nuk do të vijë asnjë gjeneral i vendeve anëtare të NATO-s dhe asnjë zyrtar i Pentagonit.

Ky është vendimi i Gjykatës së Posaçme që refuzoi kërkesën e ish-ministrit Fatmir Mediu për të thirrur si dëshmitarë personalitetet e huaja në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, ushtarakë dhe ish-ministra Mbrojtjeje të rajonit dhe jo vetëm.

Gjyqtarja Irena Gjoka shtoi se për kërkesën tjetër të ish funksionarit për riekspertim të vendngjarjes, dhe dëgjim ekspertësh do të vendosë mbasi të dëgjojë SPAK-un që ka paraqitur si prova edhe akt-ekspertizat e amerikanëve dhe ekspertëve vendas mbi shkaqet se përse shpërtheu fabrika e demontimit si dhe pasojat tragjike.

Të vetmet kërkesa të pranuara mbrojtjes së ish ministrit janë ajo e pyetjes si dëshmitarë të 19 të pandehurve nga dosja Gërdeci 1, me kushtin e dhënies së pëlqimit prej tyre, një dakordësi që edhe Fatmir Mediu duhet ta shprehë nëse pranon të pyetet

“Arsyet se përse kemi kërkuar riekspertim dhe pyetjen e ekspertëve janë të shtruara qartazi prej nesh dhe gjykata duhet të kishte një arsyetim qoftë në vendimmarrjen e ndërmjetmeve. Këtë nuk e bëri kështu që për ne është padyshim subjektivizëm”, tha avokati i Mediut, Ardian Visha.

Në listën e 15 dëshmitarëve të parë që do të flasin para gjyqtares antikorrupsion Irena Gjoka do të jetë çifti Durda që në tragjedinë e 15 marsit humbën Erisonin, 7 vjeç.

 ‘Unë di që aty ka vepruar Ministria e Mbrojtjes, shteti shqiptar dhe ky është një krim shtetëror”, tha Zamira Durda, nëna e Erisonit.

Gjykata e Posaçme pranoi një listë të gjatë dëshmitarësh të kërkuar nga SPAK si ish ushtarakë, ish ministri Aldo Bumçi dhe djalin e ish- kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha.

 “Shkëlzen Berisha mua s’më thotë asgjë, përderisa s’ka qenë funksionar”, tha Durda.

Nga ana tjetër gjykata refuzoi edhe dëshmitarët e kërkuar nga familjarët e viktimave të Gërdecit. Arsyetimi ishte ai i përfaqësimit të tyre nga SPAK.

Top Channel