Bilanci i sezonit turistik, Rama: Bumi i këtij viti na vuri përpara sfidave të mprehta që duhet t’i adresojmë

03/10/2023 18:11

Kryeministri Edi Rama gjatë takimit për bilancet e sezonit turistik veror tha se bumi i këtij viti e vuri Shqipërinë përpara disa sfidave, të cilat duhet të nisin të adresohen.

Duhet të merren masa, sipas kreut të qeverisë, pasi ekziston një rrezik që ky bum turistësh i këtij sezoni veror të kthehet në bumerang vitin tjetër.

Kjo sot, më shumë sesa përmbyllja e sezonit turistik veror është hapja e një procesi diskutimi që ne do ta vazhdojmë me të gjitha grupet e përfshira në përpjekjen e përbashkët për ta kthyer Shqipërinë e vitit 2030 në një vend kampion të turizmit në rajonin tonë sepse gjithë çka kemi dëshmuar në këtë sezon është rezultat i një pune këmbëngulëse, i një përpjekjeje të madhe, i një numri të konsiderueshëm faktorësh, por nga ana tjetër është një arritje e cila në asnjë mënyrë nuk duhet të na bëjë që të ndjehemi sikur kemi arritur vërtetë; është vetëm një stacion në një rrugë e cila është ende e përpjetë dhe faktikisht, boom-i turistik i këtij viti, përtej të gjithë efekteve të jashtëzakonshme pozitive na vuri përpara edhe sfida të mprehta që ne duhet të fillojmë t’i adresojmë menjëherë.

Nga ana tjetër, duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm dhe këtu kur them duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm kam parasysh të gjithë nivelet e qeverisjes, por edhe sektorin e sipërmarrjes në turizëm se rreziku që gjithë ky nam i madh dhe i mirë kudo në botë i këtij viti të kthehet në bumerang në vitin në vijim apo në dy-tre vitet në vijim është real dhe mund të kthehet në bumerang nëse ne nuk do jemi të përgatitur për të përballuar një kërkesë që pa diskutim do jetë më e madhe vitin e ardhshëm sepse impakti i gjithë këtij pasqyrimi global mediatik të kësaj surprize të quajtur Shqipëri këtë vit, do të rrisë interesin dhe do të sjellë shumë më tepër kërkesë vitin e ardhshëm.

Pa diskutim që ne kemi shumë arsye që të jemi krenarë për punën që kemi bërë, kemi shumë arsye që të ndjehemi të shpërblyer për përpjekjen dhe për durimin për t’i ngjitur shkallët nga një pikënisje realisht jo fort inkurajuese dhe nga ana tjetër, kemi përpara nesh edhe shenjat kuptimplota të faktit që ne mund të ndërtojmë një Shqipëri turistike e cila të shtrihet përgjatë 365 ditëve të vitit. Për ta bërë këtë, sigurisht që duhet të jemi shumë të vetëdijshëm se çfarë kemi arritur dhe çfarë ajo që kemi arritur, do të sjellë si sfidë.

Shtatori është mbyllur me 1.1 milionë turistë, vizitorë të huaj. 1.1 milionë vizitorë të huaj që është praktikisht një shifër shumë më e lartë sesa ajo e shtatorit të kaluar ndërkohë që deri në fund të gushtit ne kemi arritur vitin e kaluar komplet me mbi 7 milionë turistë. Nëse edhe tetori dhe nëntori do të ruajnë trendin dhe nëse dhjetori do të jetë, po ashtu, një muaj surprizues pozitivisht në këtë trend, ne mund të arrijmë edhe 10 milionë turistë këtë vit, por ama me siguri, ne këtë vit, në të gjitha rastet do ta prekim tavanin e 9 milionëve, që është një gjë që do duhej një kurajë shumë  e madhe për ta thënë vetëm jo shumë vite më parë.

Ashtu sikundër nuk besoj që kanë qenë shumë ata që kanë imagjinuar se mund të ndodhte në këtë kohë relativisht të shkurtër, po të keni parasysh se çfarë trashëgimie të tmerrshme jo 10 apo 20 por shumë më tepër vjeçare kemi pasur mbi kurriz dhe se çfarë imazhi, pavarësisht se në një pjesë të konsiderueshme, të krijuar nga paragjykime të kthyera pastaj në perceptim, kemi pasur përballë si një pengesë për ta kapërcyer“, tha Rama.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se vitin e ardhshëm turizmi në Shqipëri do të jetë në një fazë tjetër.

“Shtatori është mbyllur me 1,1 milionë të huaj një shifër shumë më e lartë. Nëse edhe tetori dhe nëntori do të ruajnë këtë rend dhe dhjetori do të jetë po ashtu një muaj surprizues ne mund të arrijmë edhe 10 mln turistë këtë vit, 9 milionë. Do të duhej një kurajo shumë e madhe për ta thënë, jo shumë vite më parë, ashtu sikundër, në këtë kohë jo shumë të shkurtër duke marrë parasysh një pjesë të konsiderueshme të krijuar nga paragjykimet të kthyer në perceptim kemi pasur përballë si një pengesë për ta kapërcyer.Vitin e ardhshëm turizmi në Shqipëri do të jetë në një fazë tjetër”, shtoi kreu i qeverisë.

Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm, Taulant Balla lajmëroi krijimin e një strukture të re në Policinë e Shtetit, për t’i dalë para nevojës për një nivel tjetër sigurie në zonat turistike. Ajo do të quhet ‘Forca Kombëtare e Sigurisë Publike’ dhe ministri konfirmoi në eventin ku u analizua sezoni turistik 2023, se përgatitjet kanë nisur.

“Unë e di shumë mirë se Policia lokale e Sarandës, për shembull, e ka të pamundur të përballojë sfidën që presim të kemi, qoftë në numër të turistëve, qoftë në cilësinë e tyre. Policia jonë në nivel vendor vuan edhe nga fenomeni i familjarizimit, duke dëmtuar kështu efektivitetin e punës dhe mosreagimit në kohë Policisë së Shtetit. Prandaj ne po krijojmë një Forcë Kombëtare të Sigurisë Publike, brenda Policisë së Shtetit, e cila të jetë e gatshme dhe me kapacitete të mjaftueshme, të përballojë nevojat dhe pritshmëritë e Shqipërisë turistike 10 milionë PLUS. Kjo strukturë e re brenda Policisë së Shtetit do të rrisë prezencën dhe efikasitetin e policisë në të gjithë territorin”, tha Balla.

Ai shtoi më tej se lajmi më i bukur i këtij viti nuk është vetëm shifra 8.3 milionë turistë, por certifikimi ndërkombëtar i Shqipërisë si një destinacion evropian me bukuri natyrore, mikpritje të pakonkurrueshme dhe siguri mbresëlënëse.

“Sot mund ta themi me kokën lart dhe me krenari se Shqipërisë i është pastruar një herë e mirë imazhi i nxirë nga një e shkuar e rëndë shumëvjeçare”, nënvizoi ministri i Brendshëm.

“Nga fjala ime sot këtu dua të mbahet mend mirë se gjatë këtij sezoni turistik nuk është evidentuar asnjë ngjarje kriminale, ndaj jetës së turistëve të huaj që zgjodhën Shqipërinë për të pushuar”, deklaroi Balla.

Ai informoi se gjatë këtij sezonit turistik, kanë kryer shërbim në zona turistike mbi 1600 punonjës policie, pothuajse 1/6 e gjithë forcës së disponueshme policore.

Ndër masat e ndërmarra nga Policia e Shtetit ai veçoi ngritjen e funksionimin e 6 stacioneve provizore policore në zonën turistike, krijimin e Njësisë Policore Detare, me mbi 100 punonjës.

“Janë trajtuar telefonata/ankesa nga publiku në zonat turistike/plazhe 2905 raste, janë trajtuar mosmarrëveshje të ndryshme në 1134 raste (për të mos lejuar më përsëritjen e rastit të turpshëm të Mihal Kokëdhimës, katër vite më parë) dhe janë arrestuar autorët në 124 raste”, deklaroi ai, ndërsa më tej, Balla kërkoi nga njësitë e vetëqeverisjes vendore investime për sinjalizimin rrugor, në rrugët që të çojnë në zonat bregdetare, si në ato kryesore ashtu dhe ato në dytësore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA