Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka komentuar sërish sulmin terrorist që ndodhi të dielën e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Përmes një video-mesazhi në rrjetin social Instagram ai tha se do të dalë me dëshmi se çfarë ka ndodhur më 24 shtator, ku sipas tij të paktën një serb është vrarë brutalisht.
“Shtatë ditët më të vështira në 15 vitet e fundit janë prapa nesh, për shkak të ngjarjeve në Kosovë, por edhe për fushatën e përgjithshme të nisur kundër Serbisë, fushatën e gënjeshtrave dhe fushatës së të pavërtetave”, tha Vuçiç.
Ai ka deklaruar se ditët e kaluara “ka pasur gënjeshtra të shumta për praninë e forcave tona ushtarake dhe se i ka shqetësuar se e kanë kuptuar se Serbia siç thonë ata ka armë të sofistikuara”.
“Ne do të vazhdojmë të investojmë në mbrojtjen e vendit tonë. Serbia do paqe. Ata shpikën gjithçka që thoshin dhe dinin si ta bënin atë. Pjesa më e vështirë ishte dëgjimi i tregimeve se si duhej ta mirëprisnim veprimin e Policisë së Kosovës… Pyetja jonë ishte pse EULEX-i nuk pranohej të merrte pjesë në atë operacion, por u vendos në sallën e operacionit për të vëzhguar nga larg… Ato përpjekje për të heshtur se si u vranë disa serbë dështuan. Ju njoftoj se brenda 24 orëve do të keni mundësi ta dëgjoni dhe ta shihni. Kemi deklarata nga dëshmitarët okularë që kanë qenë në vendin e ngjarjes, se si dhe në çfarë mënyre është vrarë brutalisht së paku një person”, tha Vuçiç.
Ai shtoi se Serbia nuk do të qetësohet derisa të dihet e vërteta e plotë, “sepse jeta e serbëve nuk vlen më pak se jeta e të tjerëve”.
Top Channel