Programi “Pushime On Top” në Top Channel ka fituar trofeun si programi më i mirë televiziv për turizmin, një emision i cili ka bërë të mundur që publiku të njihet më mirë me Shqipërinë, të jetë më afër aventurave dhe destinacioneve të ndryshme dhe gjithashtu ka frymëzuar njerëzit që të eksplorojnë dhe të udhëtojnë më shumë.

Ky trofe është marrë në edicionin e parë të “Grand Excellence Turizëm Albania”, një ngjarje e rëndësishme në fushën e turizmit në Shqipëri e cila vjen si një iniciativë e “Albanian Excellence” dhe “Travel Magazine” për të njohur dhe për të nderuar të gjithë ata që quhen liderët dhe frymëzuesit e industrisë së turizmit në Shqipëri.

“Është shumë bukur të vlerësohesh për punën që ke bërë, gjithë sakrificat, lodhjen gjatë një sezoni shumë të ngarkuar ku të tjerët pushojnë dhe t’i duhet të pasqyrosh pushimet e të tjerëve, po nga ana tjetër kthehet në një kënaqësi shumë të madhe, dhe programi ‘Pushime on Top’ e ka pasqyruar shumë mirë në ekran çdo aktivitet”, tha Eni Shehu, autor dhe moderator i “Pushime on Top”.

“Unë si gazetare e them pa droje që kam qenë një spektatore shumë e mirë e këtij emisioni, sepse mëson, ka informacion është emision i këndshëm dhe të gjitha këto ishin rreshtuar në memorien time si vizuale dhe shpirtërore, kështu që kur u ulëm dhe menduam se cilët do të ishin kandidatët për të marr këtë çmim sigurisht që mendova për këtë emision. Ju uroj shumë suksese, e meritoni dhe uroj shumë që të vazhdoni në këtë rrugë informative, njohëse për të gjithë ne”, u shpreh Flora Nikolla, themeluese e “Albanian Excellence.

Organizatoret e këtij eventi, Flora Nikolla dhe Flora Xhemani Baba shprehen se kjo është një mundësi shumë e mirë për të nderuar dhe vlerësuar kontributin e sektorit të turizmit në Shqipëri, duke sjellë një ndryshim pozitiv në këtë industri.

“Pas tri dekadash tranzicion në turizmin shqiptar ka ardhur koha të vendosim disa piketa të cilësisë dhe standardeve, dhe janë plot 22 trofe, disa certifikata mirënjohjeje dhe vlerësimi dhe memoriale që do të shpërndahen. Ne kemi zgjedhur yjet e turizmit shqiptar”, tha Flora Xhemani Baba, eksperte e turizmit.

“Synojmë të krijojmë standartin në turizëm. Kishte ardhur momenti që pas evidentimit të shumë çmimeve në shumë fusha t’i drejtoheshim dhe turizmit”, shtoi Nikolla.

Në këtë ceremoni, përfaqësues të sektorit të turizmit dhe personalitete të njohura të vendit festuan për kontributin e tyre në industrinë e turizmit. Çmimet janë përqëndruar në disa kritere kyçe vlerësimi duke përfshirë menaxhimin e cilësisë, përgjegjësinë sociale, sigurinë dhe shëndetin në punë e shumë të tjera. Kjo nismë synon të nxisë cilësinë, inovacionin dhe qëndrueshmërinë në industrinë e turizmit.

Top Channel