Më shumë se 50% e banesave të disponueshme për tu dhënë me qira në listën e agjencive imobiliare në Gjirokastër dhe rrethina nuk janë më të disponueshme që prej një viti.

Gjithashtu agjentët vërejnë se në zonën historike në Gjirokastër nuk ka asnjë banesë në shitje për shkak të potencialit  të lartë që banorët shohin tek turizmi. Ekaterini që merret me shit-blerje dhe rentim pronash tregon se lista e pritjes e klientëve familjarë  është shumë e gjatë dhe disa po presin që prej vitit të kaluar për të gjetur një banesë me qira.

Leandi nga Tirana prej dy vitesh kërkon të zhvendoset për të jetuar në Gjirokastër për arsye pune dhe rrethana familjare por kostot e banesave me qira kanë pësuar një rritje jo natyrale sipas tij dhe janë tërësisht disharmonike me nivelin e jetesës së popullsisë. Kjo qasje e orientuar nga turizmi po e bën jetën mjaft më të shtrenjtë në Gjirokastër ndërsa shumica e banorëve nuk janë përfitues prej turizmit.

Nga ana tjetër pronat të cilat u larguan nga lista e disponueshme për shitje apo për tu dhënë me qira janë kthyer në apartamente me qira ditore apo bujtina të vogla dhe janë regjistruar në platformat e shitjes së Booking dhe AirBnb. Vasil Garo që drejton një operator turistik në Jug e që gjithashtu është sipërmarrës në tregun e apartamenteve me qira tregon se infromaliteti për ata që u shfaqën për herë të parë në treg këtë vit është në nivele shumë të larta duke prodhuar konkurrencë të pandershme, kosto të shtuara për komunitetin dhe asnjë të ardhur për buxhetin lokal të taksave.

Drejtoria lokale e tatimeve e kontaktuar mbi fenomenin komentoi jashtë kamerave se është duke u mbikqyrur lista e bizneseve që po operojnë të paregjistruara në platformat e shitjes on line dhe se po përgatiten ndërhyrje rregulluese të këtij tregu.

Nga analizat e organizatave lokale të turizmit më shumë se 60% e sektorit akomodues në rajon operon në informalitet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA