Gjashtë njerëz kanë vdekur pas shembjes në një minierë floriri në Zimbabve dhe 15 të tjerë kanë mbetur të bllokuar në galerinë e nëndheshme, njoftonin sot zyrtarët duke shtuar se grupet e shpëtimit janë në garë me kohën për të gjetur punëtorët e zhdukur.
Mediat shtetërore citonin ministrin e minierave Polite Kambamura të thoshte se 34 minatorë ishin përfshirë nga shembja e pasdites së djeshme, 13 prej të cilëve kishin arritur të shpëtonin.
Ata shtonin se operacionet e kërkimit vazhdojnë në minierën Beyhose në qytezën e njohur për burime floriri Chegutu, rreth 100 kilometra në perëndim të kryeqytetit Harare.
Incidentet e shembjeve në miniera, shpesh me minatorë artizanalë, ndodhin shpesh në vendin afrikan, të pasur me ar, qymyr dhe diamante. Vendi me rreth 15 milionë banorë është gjithashtu një nga prodhuesit më të mëdhenj të litiumit, minerali i kërkuar prej rritjes së përdorimit të automjeteve me bateri elektrike.
Por parqet e mineraleve dhe minierat e braktisura në Zimbabve janë shpesh të mbushura me njerëz përfshi dhe fëmijë që kërkojnë të fitojnë të ardhura, pas mbylljes së shumë aktiviteteve të tjera ekonomike dhe papunësisë së lartë në dy dekadat e fundit.
Top Channel