Qeveria franceze është zotuar të ndërmarrë veprime për të “siguruar dhe mbrojtur” publikun pasi Parisi raportohet të jetë pushtuar nga çimkat.

Ministri francez i Transportit Clement Beaune njoftoi se do të “bashkojë operatorët e transportit javën e ardhshme” për të “vendosur mbi hapat e mëtejshëm” lidhur me mbrojtjen e njerëzve nga rritja e ndjeshme e numrit të këtyre insekteve, që janë bërë shqetësuese për kryeqytetin francez. Njoftimi erdhi pas thirrjeve për veprim drejtuar qeverisë në vazhdën e disa videove të postuara në rrjetet sociale, ku shihet një mizëri çimkash në transportin publik apo vende të tjera si kinematë.

Duke folur për stacionin televiziv francez LCI të premten, nënkryetari i bashkisë së Parisit Emmanuel Gregoire e quajti fenomenin “tejet të përhapur”. “Duhet të kuptoni se në realitet askush nuk është i sigurt, padyshim që ka faktorë rreziku, por në realitet, ju mund t’i merrni çimkat kudo dhe t’i çoni në shtëpi,” u shpreh ai. Tre vjet më parë, qeveria franceze nisi një fushatë kundër insekteve, e cila përfshinte një faqe interneti të dedikuar dhe një linjë telefonike informacioni, teksa numri i tyre pësonte rritje.

Gregoire pohoi se pavarësisht këtij plani, “janë 3.6 milionë njerëz që hyjnë në Paris çdo ditë dhe çimkat nuk ndalen në periferi të qytetit”. Ekspertët nga organizmi kombëtar i shëndetit në Francë, Anses, theksuan se ky shtim i ndjeshëm i numrit të çimkave i detyrohet faktit që ato po bëhen gjithmonë e më rezistente ndaj insekticideve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA