​Kurti: Mbi 5 milionë euro armatim në veri, të ekstradohen ata që ikën tinëzisht malit

30/09/2023 11:36

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se gjetur armatim në vlerë mbi 5 milionë euro në veri ndërsa përsëriti kërkesën që terroristët që u larguan nga Kosova, të ekstradohen për t’u ballafaquar me drejtësinë.

Kurti tha se grupi terrorist kishte ardhur me një skenar të tyre të cilin me sukses iu përgjigj Policia e Kosovës duke i eliminuar tre terroristë, arrestuar disa të tjerë dhe duke vazhduar përndjekjen e atyre që ikën.

“Kemi gjetur armatim në vlerë më shumë se 5 milionë euro dhe sasitë e armatimit për qindra luftëtarë që dëshmon për planin e fillimit të një lufte të armatosur brenda e kundër Republikës së Kosovës. Armatimi ushtarak e trajnimet luftarake, municione dhe pajisje të tjera, direktiva politike e strategjike dhe mbështetja zyrtare e publike të gjitha vinin nga Serbia. Kësisoj prej të dielës që lamë pas asgjë më nuk është e njëjtë. Faktet dolën sheshazi dhe ajo që e kemi thënë ngaherë që Serbia po e sponsorizon terrorizimin në veri u qartësua e u vërtetua për të gjithë”, deklaroi Kurti.

Kryeministri u shpreh se Policia e Kosovës tashmë ka vendosur sigurinë dhe paqen në Veri ndërsa ka shpërndarë mbi 100 pako ushqimore që plotësojnë nevojat bazike te banorët serbë që jetojnë në Banjskë.

Kurti duke falënderuar qytetarët e Banjskës për qetësinë e tyre, theksoi se gjatë operacionit policor nuk është lënduar dhe plagosur asnjë civil.

Për shtetin serb ka kërkuar që ata që ikën tinëzisht malit, të ekstradohen në Kosovë, ndërsa për ndërkombëtarët që dy organizata veriore “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” të shpallen terroriste.

Në Republikën tonë nuk ka vend për terroristë, përveçse para drejtësisë. Ne kërkojmë që ata që kanë ikur tinëz malit e që janë strehuar nga Serbia, të ekstradohen në Kosovë sa më parë. Gjithashtu, organizatat ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’ tashmë ka prova e argumente të mjaftueshme të shpallen organizata terroriste edhe nga shtetet tona mike, partnere dhe aleate, ashtu si ne tashmë bëmë në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës para 3 muajsh”, vijoi Kurti.

Kurti tha se Kosova është vendi me më së paku kriminalitet në Ballkanin Perëndimor, për dallim nga Serbia ku kriminaliteti është i lartë. Ai tha se Kosova gjithmonë do të ngadhënjejë ndaj Serbisë sepse “ne kemi Afrimin kurse ata krimin”.

Krimi i i organizuar dhe autokracia politike shkojnë bashkë. Demokracia është liri për qytetarët. Autokracia bëhet liri për kriminelët. Në autokraci kriminalizohet politika dhe politizohen kriminelët. Aq i lartë është kriminaliteti në Serbi sa në vazhdimësi shikohen të eksportohet edhe në shtete përreth, e sidomos tek ne, siç është parë së fundmi madje edhe si terrorizëm. Në si Republikë do të vzhdojmë luftën kundër krimit të sponsorizuar nga Serbia dhe nuk do të lejojmë të cenohet as integriteti, as sovraniteti, as jeta e qytetarëve tanë pa dallim. Kushtetutshmëria, ligjshmëria, rendi publik duhet të mundësojnë liri, liri nga krimi, liri në paqe, liri për prosperitet. Ne do të ngadhënjejmë sepse në kemi Afrimin brenda nesh kurse ata e kanë vetëm krimin.

Kurti u zotua se urrejtjes, krimit dhe terrorit ndaj Kosovës, shqiptarëve, Republikës e qytetarëve do t’i përgjigjet me forcën e ligjit dhe drejtësinë e shtetit./KosovaPress

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA