Shkon në 56 numri i të arrestuarve në kuadër të megaoperacionit policor antidrogë të koduar “Rrjeti” në Elbasan.
Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se një 34-vjeçar i shpallur në kërkim pasi akuzohej si pjesëtar i rrjetit kriminal për prodhimin, shitjen dhe trafikimin e llojeve të ndryshme të drogave, është lokalizuar dhe arrestuar në “Qytetin Studenti”, në Tiranë.
Shtetasi me inicialet E. T. ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Vënia në pranga e këtij shtetasi e çoi në 56 numrin e shtetasve në pranga në kuadër të megaoperacionit antidrogë “Rrjeti”, të ndërmarrë në muajin qershor të këtij viti. Gjatë operacionit janë sekuestruar sasi dhe doza të drogave të ndryshme, armë zjarri, municion luftarak, armë të ftohta dhe shuma të mëdhaja parash në valuta të ndryshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Top Channel