Kosova: Duam hetim ndërkombëtar! Rezoluta e Kuvendit kërkon ekstradimin e terroristëve

28/09/2023 19:37

Kuvendi i Republikës së Kosovës, seancën e së enjtes e ka nisur me një minutë heshtje në nderim të rreshterit Afrim Bunjaku i cili u vra në sulmin terrorist të dielën e 24 shtatorit.

Këtë sulm e ka dënuar Kuvendi duke e quajtur sulm terrorist të shtetit të Serbisë ndaj Policisë së Kosovës, e me një rezolutë kërkon hetim ndërkombëtar.

“Kuvendi i Kosovës e dënon në termat më të ashpër sulmin terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës me datën 24 shtator 2023 si dhe kërkon nga faktori ndërkombëtar të ushtrojë ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raportet me organizimin dhe mbështetjen që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri”, tha Glauk Konjufca – Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti kërkon ndëshkimin ndërkombëtar të Serbisë për sulmin terrorist të cilit i priu nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq.

“Sulmuesit te cilët arritën të ikin duhet të ekstradohen, duhet të dorëzohen në organet e Republikës së Kosovës. Organizatat terroriste “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” duhet të shpallen organizata terroriste edhe nga vendet mike, ashtu siç bëri edhe Kosova”, tha Kurti.

Në këtë qëndrim atij i janë bashkuar edhe dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Prandaj sot para se gjithash është e rëndësishme që Kosova të kërkojë ekstradimin e terroristëve që planifikuan dhe realizuan sulmin mbi shtetin tonë. Në këtë aspekt kërkojmë edhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë”, tha Memli Krasniqi, kryetari i PDK.

“Si përgjigje ndaj këtij sulmi institucionet tona kishin dhënë përgjigjen më të mirë të mundshme. Në bashkërendim me aleatë, me profesionalizëm më të lartë të mundshëm, e me guxim patriotik ndaj Republikës, e diela e nisur me tragjedi u shndërruar në ditë triumfi ndaj terrorit”, tha kryetar i LDK, Lumir Abdixhiku.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka lënë fajtor kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin për situatën e krijuar.

“Mashtrimi nuk kalon qe dy vjet jemi mashtruar, qe dy vjet jemi mashtruar nga mashtruesi, zhvillimet kanë shkuar në drejtimin e gabuar për fajin e këtij njeriu”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK.

Rreth orës 2:30 mëngjesin e së dielës Policia e Kosovës është sulmuar nga një grup terrorist i prirë nga nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit.

Në krye të detyrës ra rreshteri Afrim Bunjaku e u plagos Alban Rashiti, ndërkohë Policia e Kosovës ka arrestuar tre terroristë e ka neutralizuar tre të tjerë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA