Nagorno-Karabak: Azerbaixhani arreston ish-liderin armen të Karabakut (fotot)

27/09/2023 17:31

Azerbaixhani tha sot se ka ndaluar një ish-lider të armenëve në Nagorno-Karabak i cili përpiqej të largohej nga rajoni i kontestuar drejt Armenisë.

Ruben Vardanyan, një ish-biznesmen që drejtonte forcat armene të rezistencës prej nëntorit  2022 deri në shkurt të këtij viti, ishte mes qytetarëve etnikë armenë të rajonit që po largohen nga shtëpitë e tyre, pas ofensivës së Azerbaixhanit.

Burimet thonë se 47,115 armenë etnikë janë larguar tashmë nga trojet e tyre në Nagorno-Karabak, pas marrjes së plotë të kontrollit nga Azerbaixhani javës që shkoi.

Forcat kufitare të Azerbaixhanit thanë se i ndaluari ishte dërguar në kryeqytetin Baku, dhe ishte dorëzuar te agjencitë shtetërore.

Teksa mijëra banorët e zhvendosur nga lufta kalonin kufirin drejt Armenisë ata kontrolloheshin imtësisht nga forcat kufitare azere.

Këto të fundit pretendonin se kërkonin për të dyshuar për “krime lufte” thanë burimet qeveritare për rrjetin francez Agence France Presse ndërsa raportohej për një “amnesti ndaj luftëtarëve që kishin ulur armët në Karabak”.

Nagorno-Karabakh është në fakt pjesë e njohur e Azerbaixhanit por ishte kontrolluar prej tre dekadash nga armenët etnikë, duke mbetur një qendër tensionesh e konfliktesh që prej shpërbëries së Bashkimit Sovjetik.

Tashmë rreth 100,000 armenët etnikë të rajonit tremben se nuk kanë një të ardhme në Nagorno-Karabakh. Zhvillimet përshkruhen nga Armenia si “spastrim etnik” në rajon.

Sot radhë të gjata makinash shiheshin që prisnin të kalonin në Armenia teksa rrjeti BBC raportonte për familje të ngjeshura në makina dhe bagazhe të shumta vendosura në tavanet e mjeteve.

Qeveritë perëndimore kanë kërkuar që Azerbaixhani të lejojë vëzhgues ndërkombëtarë në Karabak për monitorimin e trajtimit të popullatës.

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken nxiti sot presidentin azer Ilham Aliyev, të japë “mbrojtje dhe liri lëvizjeje për civilët” si dhe kërkoi akses të ndihmës humanitare në  Nagorno-Karabakh”.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA