Prokuroria e Kosovës njofton se katër perona të cilët janë arrestuar gjatë aksionit të Policisë së Kosovës, në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, larg nga vendi i ngjarjes janë liruar.
Sipas prokurorisë, lirimi është bërë në mungesë të provave të paraqitura nga Policia e Kosovës.
“Ju njoftojmë se katër (4) perona të cilët janë arrestuar gjatë aksionit të Policisë së Kosovës, në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, larg nga vendi i ngjarjes, të njëjtit janë liruar dje (26 shtator 2023), nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në mungesë të provave të paraqitura nga Policia e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Kujtojmë se një grup i armatosur, që sipas autoriteteve përbëhej prej rreth 30 personash, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Policia tha se tre sulmues të dyshuar u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit në manastirin e Banjskës, ku u strehua ky grup i armatosur.
Ndërkohë një ditë më parë Gjykata Themelore në Prishtinë la në paraburgim tre prej të akuzuarve B.S, V.T. dhe D.M, të dyshuar për sulmin në veri.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka akuzuar Millan Radoiçiçin, nënkryetar të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulm. Sveçla publikoi një video të incizuar me dron, ku pretendohet se shihet Radoiçiçi i armatosur në Banjskë.
Lista Serbe dhe as institucionet në Serbi nuk kanë reaguar lidhur me akuzat e Kosovës për përfshirjen e pretenduar të Radoiçiçit. Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.
Top Channel