Hetimet në fshatin Basnjkë të Zveçanit do të zgjasin, deklaroi sot drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani.
Për sulmin terrorist të 24 shtatorit, ai tha se Policia e Kosovës nuk kishte synim të vriste askënd, dhe se viktimat janë pjesë e procesit të lirimit të territorit nga grupet kriminale.
Elshani tha para mediave se zona përreth maleve nuk është e sigurt meqë janë gjetur një mori mjetesh të pashpërthyera e të cilat do të hetohen nga njësi të specializuara gjatë ditëve në vijim.
Ai foli edhe për ngjarjet e së dielës, ku terroristët serbë vranë rreshterin policor Afrim Bunjaku dhe plagosën dy të tjerë. Derisa bëri të ditur se sulmuesit kishin hedhur predha e minahedhës në distanca të mëdha në drejtim të Policisë së Kosovës.
“Unë mendoj se hetimet nuk kanë për të përfunduar edhe një kohë të gjatë sepse edhe për neve është interesant se pse ky vend të zgjedhet në këtë vend dhe cili ka qenë qëllimi i këtyre njerëzve të armatosur me u vendos këtu. Është një fshat i mirë, turistik, njerëzit janë shumë të qetë. Ndoshta puna e kufirit sepse logjistika ka pasur mundësi të vijë nga ana e shtetit serb atje, mirëpo hetimet me siguri do të shkojnë më gjatë”, tha ai.
Siç tha ai, Policia e Kosovës ka kryer punën e saj në mënyrë profesionle dhe ka realizuar punën e saj “me sa më pak dëme” që ka qenë e mundur.
“Planifikimi prej policëve në vendin e ngjarjes këtu ka qenë shumë i mirë, konsideroj se ka qenë më e mira e mundshme që është arritur. Ne nuk kemi pasur qëllim të vrasim 30 njerëz, nuk kemi pasur qëllim të vrasim asnjë njeri. Qëllimi jonë është të marrim territorin tonë, që është i vendit tonë, të lirojmë këtë vend nga grupet kriminale që nuk duhet të jenë këtu. Dhe, nëse ka pasur viktima, ajo është pjesë e procesit. Ne konsiderojmë që e kemi arritur misionin tonë që me sa më pak dëme të mbërrijmë pjesën tonë, atë që kemi dashur. Ajo që është shumë me rëndësi të theksohet është që në asnjë moment, fshatarët e këtij fshati nuk kanë qenë të lënduar, nuk ka pasur as dëme kolaterale dhe kjo është çudë. Ne i kemi bërë planifikimet tona si është më së miri por është për ne është e çuditshme si nuk ka pasur dëme”, tha Elshani.
Sa i përket bastisjes, Elshani tha se do të vazhdojë rreth zonave malore, derisa pati një mesazh edhe për gazetarët, të cilëve sot për të parën herë që nga sulmi iu lejua hyrja në fshatin Banjskë.
“Bastisja, kontrolli, sa i përket zonës së banimit ka përfunduar. Ne i kemi bërë një kontroll goxha të mirë konsideroj edhe rrethit të malit, sidoqoftë nuk autorizohet lëvizja juaj nëpër këtë vend sepse ka mundësi që të kemi mjete të paeksploduara sepse kemi gjetur shumë nëpër mal. Sot dhe ditëve në vijim do të kemi njësi të tjera të specializuara ku në vende të caktuara do të bëjnë kërkime të ndryshme. Autorizimi për ju është bërë pas konsultimit me eprorët tanë, në mënyrë që të mos ketë terror informativ. Ju kemi lejuar të vini këtu por rreziku ende nuk ka kaluar”, tha drejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës.
Ai theksoi se përgjatë këtyre ditëve, Policia e Kosovës ka hasur në armatim gati në të gjithë fshatin. Derisa tregoi sesi sulmuesit e armatosur kishin gjuajtur në drejtim të Policisë edhe me predha e minahedhës.
“Armatim ka pasur gjithandej… Nuk dua të lëshohem në detaje. Ka pasur shumë armatim. Në zonat jashtë, nëpër shtëpi. Ne kemi hyrë edhe nëpër shtëpi… Armatim ka pasur rreth shtëpive, ka pasur në shtëpinë këtu poshtë, ku ka qenë vendi kryesor. Ka pasur gjithandej, nuk po dua të lëshohem në detaje… Për hetimin e personit për të cilin po flisni (Radojçiçin) nuk mund të them asgjë. Në vend të ngjarjes janë marrë vendime shumë të shpejta dhe shumë të rëndësishme. Ka pasur gjuajtje me minahedhës 60 mm dhe 82 mm. Ju kah erdhët e patë një pompë të benzinës, aty ka pasur gjuajtje, ka pasur predha. Kështu që, prej këtu na kanë gjuajtur atje. Kështu, vendimet është dashur të jenë shumë të shpejta. Ne kemi pasur koordinim shumë të mirë me eprorët tonë në qendrën ‘Enver Zymberi’ dhe veprimet tona janë koordinuar shumë shpejt”, derisa nuk tregoi nëse shtëpia për të cilën foli është pjesë e manastirit apo jo.
Ai nuk mohoi mundësinë se grupe kriminale do të tentojnë të hyjnë sërish në Kosovë, porse tha se Policia e Kosovës është e përgatitur dhe ka komunikim të mirë me KFOR-in.
“Policia është institucion i zbatimit të ligjit dhe kriminelët në tjetrën anë planifikojnë sesi të gjejnë ndonjë hapësirë për të kryer pjesën e vet, bëjnë planifikime të ndryshme dhe nuk mund ta përjashtojmë një mundësi tjetër (që grupe të armatosura të hyjnë në Kosovë). Ne jemi goxha të përgatitur dhe kemi komunikim të mirë me KFOR-in dhe ndoshta ka mundësi që ky rast këtu, me të gjitha të këqijat e veta, me një polic të vrarë dhe tre të armatosur të vrarë, mendoj se ne kemi marr edhe mësim këtu”, tha Elshani.
I pyetur për largimin e terroristëve nga Manastiri i Banjskës, Elshani tha se videot veçse kanë qenë publike.
Ai potencoi se Policia e Kosovës ka pasur bashkëpunim me EULEX-in dhe çdo gjë është bërë edhe në koordinim me ta.
Top Channel