Banorët e Banjskës kanë nxjerrë armët e fshehura nga terroristët, të cilët kryen sulmin më 24 shtator ndaj Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës konfirmoi se arriti në tetë numri i të arrestuarve lidhur me sulmin ndaj saj në Banjskë, ndërsa katër prej tyre janë liruar.
Kujtojmë se një grup i armatosur, që sipas autoriteteve përbëhej prej rreth 30 personash, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Policia tha se tre sulmues të dyshuar u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit në manastirin e Banjskës, ku u strehua ky grup i armatosur.
Ndërkohë një ditë më parë Gjykata Themelore në Prishtinë la në paraburgim tre prej të akuzuarve B.S, V.T. dhe D.M, të dyshuar për sulmin në veri.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka akuzuar Millan Radoiçiçin, nënkryetar të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulm. Sveçla publikoi një video të incizuar me dron, ku pretendohet se shihet Radoiçiçi i armatosur në Banjskë.
Lista Serbe dhe as institucionet në Serbi nuk kanë reaguar lidhur me akuzat e Kosovës për përfshirjen e pretenduar të Radoiçiçit. Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.
Top Channel