Aksioni policor në veri të Kosovës po vijon edhe këtë të martë, ndërkohë që janë në kërkim sulmuesit e tjerë që qëlluan drejt policisë të dielën, duke lënë të vdekur efektivin Afrim Bunjaku.
Po ashtu, vazhdojnë kontrollet në banesat dhe vendqëndrimet e autorëve, ku po mblidhen prova në funksion të hetimet. Nga Banjska është larguar një tjetër autoblindë që përdorej nga sulmuesit serb. Sipas informacioneve, ai ishte i mbushur me armatime, njësoj si mjetet e tjera të gjetura në zonë.
Ndërkohë që operacioni vijon, banorëve u është kërkuar të mos dalin nga shtëpitë. Si rrjedhojë, policët kanë shpërndarë ushqime në shtëpitë e Banjskës.
Një ditë më parë, Policia e Kosovës tregoi armatimet dhe provat që u gjetën në disa shtëpi dhe makinë, përfshirë e mjetin e nënkryetarit të Listës Serbe Millan Radojçiç, që sipas autoriteteve është i lidhur drejtpërdrejt me sulmin.
Policia gjeti një sasi të madhe armatimesh, tre makina si të KFOR-it, mbi 20 makina dhe një autoblindë.
Top Channel