Beogradi zyrtar e shpalli të mërkurën ditë zie për ato që i quajti ngjarjet tragjike në Kosovë.
“Qeveria e Serbisë kërkon nga të gjitha mediat dhe organizatorët e ngjarjeve publike që programin e tyre ta përshtatin me ditën e zisë në 27 shtator, në mënyrë që të respektojnë viktimat në Kosovë”, njoftoi ekzekutivi serb pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të mbajtur sot me urgjencë.
Më herët, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, deklaroi se kishte shpallur dhe ajo ditë zie datat 26, 27 dhe 28 shtator janë “shpallur ditë zie për vdekjen e bashkëqytetarëve në ngjarjen e rëndë në Banjskë të komunës së Zveçanit”.
Sipas ligjit të Kosovës, në nivel shteti ditë zie mund të shpallë vetëm presidentja e vendit, ndërsa në nivel komune, këtë mund ta bëjën edhe vetë komunat përkatëse. Lista Serbe, që udhëheq 6 komuna me shumicë serbe, u shpreh se në komunitetet e tyre atje do të anulohen të gjithë kremtimet e planifikuara nga organet dhe institucionet e vetëqeverisjes lokale dhe tha se “flamujt e Republikës së Serbisë do të ulen në gjysmështizë në të gjitha institucionet”.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç i ka përshkruar autorët e sulmit si serbë lokalë të Kosovës, të cilët sipas tij, nuk mund të vuanin më terrorin e Kurtit.
Top Channel