Efektivja e policisë në Komisariatin e Policisë Rinas që u arrestua nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pasi akuzohet për korrupsion dhe ndërhyrje në të dhënat kompjuterike është përjashtuar nga Policia e Shtetit.
Policia e Shtetit thotë se përjashtimi i oficeres Sulltane Kuka u bë për shkelje të Rregullores së Policisë, “Përdor pozitën si punonjës policie për përfitime personale”, pasi datë 25.09.2023, gjatë inspektimit të bërë nga grupi i inspektimit i Drejtorisë së Policisë Rrugore në OASH-në, në Sektorin e Policisë Rrugore në DVP Lezhë, u konstatua se një automjet i shpallur “Alert”, ishte hequr nga sistemi në mënyrë të kundërligjshme. Po nga verifikimet e kryera nga grupi i inspektimit i Drejtorisë së Policisë Rrugore dyshohet se automjeti është hequr nga “Alert, nga punonjësja e Policisë Sulltane Kuka.
Për këtë rast, AMP ka bërë ndalimin e kësaj punonjëseje policie, për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”.
Top Channel